Në takimin e sontëm të liderëve te presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski ku nuk u arrit datë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, lideri i opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski nuk ka përmendur asgjë për krizën shëndetësore, ndërsa qëllimi kryesor ka qenë të shkaktojë sa më shumë huti lidhur me çështje juridike për të cilat ligjet dhe procedurat janë të qarta, brifojnë nga LSDM.
Fillimisht, nga partia në pushtet, thonë se e ka hapur çështjen nëse misioni i OSBE/ODIHR mund të vjen nesër, që siç theksojnë, është jologjike, misioni duhet të merr datë të saktë, të organizohet dhe arrijë. Misioni veçmë ka paralajmëruar se do të dërgojë vëzhgues. Sipas KSHZ-së nuk ka kohë të mjaftueshme edhe pse ligji dhe kushtetuta janë të qarta se 22 ditë pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme vazhdon procesi. KSHZ është organ ekzekutiv. Kërkoi që procesi me listën zgjedhore të kthehet në fillim, me mbikëqyrje edhe pse mbikëqyrja ka përfunduar më parë, brifojnë nga LSDM.
Ndërkohë, opozitarja VMRO-DPMNE, në publikimin e rregullt të fakteve në ditën që e njoftoi pas përfundimit të takimit të liderëve e ka akuzuar liderin e LSDM-së Zoran Zaev se dëshiron zgjedhje pa vëzhgues, si dhe presidenti Stevo Pendarovski ka vendosur t’i shërbejë Zaevit dhe se pastaj në kundërshtim me interesin e qytetarëve nuk dëshiron ta vazhdojë gjendjen e jashtëzakonshme. I ka përsëritur edhe akuzat se shteti po përjeton pikun e vazhdueshëm të KOVID-19 për shkak të masave jo në kohë të pushtetit.
“Pendarovski vendosi t’i shërbejë Zaevit. Në kundërshtim me interesin e qytetarëve nuk dëshiron të vazhdojë gjendjen e jashtëzakonshme. Zaev dëshiron zgjedhje pa vëzhgues. Pendarovski konfirmoi se OSBE nuk mund të dërgojë mision të plotë. Maqedonia po përjeton pikun e vazhdueshëm të Kovid-19, qindra po infektohen në ditë dhe disa vdesin, pasi pushteti nuk mori masa në kohë. Regjimi hibrid i Zaevit liron nga përndjekja prodhues të marijuanës që të shfrytëzojë persona të familjeve të tyre për struktura parapolicore”, janë faktet që i ka publikuar VMRO-DPMNE.
Kabineti i Presidentit në kumtesë, tutje njoftoi se në takimin u bisedua për aspekte të ndryshme të procesit zgjedhor, me ç’rast të dy palët kanë ofruar argumente në favor të pozicioneve të tyre.
“Në takimin nuk është arritur marrëveshje për përcaktimin e datës për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Dy liderët arritën marrëveshje që ta vazhdojnë komunikimin mes vete”, qëndron në kumtesë.
Edhe Zaevi dhe Mickoski kanë deklaruar shkurt se nuk ka epilog pozitiv nga takimi dhe se në interes të bisedave janë pajtuar që me komunikatë të del kabineti i presidentit.
“Nuk arritëm marrëveshje. Në interes të asaj që lamë mundësi që gjatë ditës së nesërme nëse njëra nga palët konkludon se duhet të dëgjohemi- do të dëgjohemi. Mbetemi në komunikatën. Nuk do të japim komente shtesë në deklaratë, as edhe përgjigje ndaj pyetjeve. Është qëndrim i harmonizuar me presidentin e shtetit Pendarovski dhe me Mickoskin”, ka deklaruar Zaev.
Nga ana tjetër, Mickoski ka thënë se ajo që është folur sot dhe në ditët që vijojnë, do të ketë informacione plotësuese varësisht nga zhvillimi i ngjarjeve.
“Në interes të procesit dhe kompleksitetit të gjithë situatës sollëm konkluzë të përbashkët që presidenti përmes komunikatës të informojë opinionin për atë që sot është folur dhe ditët që pasojnë, që janë para nesh, do të keni informacione shtesë se si do të zhvillohen ndodhitë. Ajo që është me rëndësi është se deri në këtë moment ende nuk ka marrëveshje”, ka deklaruar Mickoski.