LSDM dhe BDI s’mendojnë për formatimin e Qeverisë

Pas votëbesimit të konfirmuar në Kuvend, Qeveria duket të ketë gjetur rehatinë për 90 ditë. Partnerët e koalicionit nuk mendojnë për rikonstruim të kabinetit Qeveritar edhe pse në prag të zgjedhjeve lokale subjektet po shqyrtojnë kuadrot me të cilët do të kandidojnë. Nga BDI thonë se vota e konfirmuar në Kuvend, kërkon përkushtim më të madh ndaj programit zgjedhor dhe se për momentin nuk diskutohet për ndryshime në kabinetin Qeveritar.

Tani duhet t’i qasemi punës dhe t’i zbatojmë projektet dhe premtimet zgjedhore. Për çfarëdo dilema që ka cilido qoftë nga ne, i ftoj të ulemi, të bisedojmë bashkërisht qoftë në Ministrinë për Sistem Politik, Qeveri, Kuvend ose në selinë e BDI-së në Shkup ose Tetovë. Të ulemi dhe t’i diskutojmë idenë dhe të dalim me projektin më të mirë të mundshëm për qytetarët – tha Artan Grubi, Zëvendëskryeministër për Sistem Politik.

LSDM-ja po përgatitet për zgjedhjet e brendshme të prillit kur duhet zgjedhur kryetari i partisë. Më pas pason Kongresin Partiak në muajin maj, ndërsa pas kongresit Socialdemokratët thonë se mund të priten ndryshime por si fillim brenda organeve të partisë. Për ndryshimet në kabinetin Qeveritar nuk është diskutuar brenda subjektit, në ndërkohë nga partia e Zaev thonë se janë duke punuar zgjedhjen e kuadrove për zgjedhjet lokale.

Zërat për ndryshimin e kabinetit Qeveritar u ngjallën pas mocionit në Kuvend me kërkesë të kryeministrit, ndërsa paraprakisht grupe të pakënaqura në BDI kishin kundërshtuar zgjedhjet kadrovike në Qeveri. Në LSDM kërkesat për ndryshime u manifestuan me largimin e partive të vogla nga grupi parlamentar, por që vazhdojnë të jenë pjesë e shumicës në Kuvend./ALSAT