LSDM akuzon VMRO-DPMNE-në dhe kryeministrin Hristijan Mickoski se po mbrojnë bankën serbe “Alta Banka”, presidentin Aleksandar Vuçiq dhe bankierin Davor Macura, duke u përpjekur t’ia hedhin përgjegjësinë ish-qeverisë.
Në konferencën e sotme për media, Maja Serafimovska-Borozan hodhi poshtë pretendimet e pushtetit lidhur me një dokument të Gazetës Zyrtare të qershorit 2023, duke i cilësuar ato si manipulim politik.
Sipas saj, dokumenti kishte të bënte vetëm me procedurën ligjore për shitjen e 7.213 aksioneve të konfiskuara nga Sasho Mijallkov dhe kompania “Eksiko”, në kuadër të rastit “Perandoria”. Aksionet përfaqësonin rreth 1,85% të kapitalit të Stopanska Banka Manastir.
“Gjatë qeverisjes së LSDM-së, këto aksione nuk u shitën dhe Alta Banka nuk ishte fare e pranishme në Maqedoni. Hyrja e bankës serbe dhe marrja nën kontroll e Stopanska Banka ndodhën në vjeshtën e vitit 2025, gjatë qeverisjes së Mickoskit”, deklaroi Serafimovska-Borozan.
Ajo shtoi se paketa e aksioneve të konfiskuara iu shit Alta Bankës në janar të vitit 2026, për rreth 375 mijë euro.
LSDM pretendon gjithashtu se guvernatori Trajko Sllaveski e kishte miratuar hyrjen e bankës pas konsultimeve me kryeministrin Mickoski.
Partia opozitare njoftoi se ka paraqitur kallëzime penale kundër guvernatorit dhe personave të tjerë që i konsideron të përfshirë në këtë rast.
“VMRO-DPMNE po përpiqet ta fshehë skandalin, por e vërteta po del në dritë. Përgjegjësia nuk mund të shmanget”, deklaroi Serafimovska-Borozan.



