LSDM akuzoi Dimitrievskin për lidhje me kompani në Bullgari

Sot, LSDM ka dalë me akuza të ashpra ndaj kryetarit të Komunës së Kumanovës dhe liderit të ZNAM, Maksim Dimitrievski, duke pretenduar se ai ka pjesëmarrje pronësore në një kompani të regjistruar në Bullgari dhe se ekzistojnë dyshime për veprimtari të tij afariste dhe keqpërdorime të mundshme, transmeton Portalb.mk.

Në njoftimin e partisë, LSDM e akuzon Dimitrievskin se po tenton të defokusojë opinionin publik nga agjenda reformuese, duke ngritur akuza të rënda politike dhe duke kërkuar përgjegjësi për veprimet e tij.

“Kompania ‘MBS Global’ është regjistruar më 7.8.2015 në adresën ‘Stefan Karaxha’ në Burgas, Bullgari. Kompania merret me tregti me shumicë të produkteve jo-ushqimore. Përveç kësaj, bashkëshortet e Dimitrievskit dhe Serafimovskit kanë edhe një kompani tjetër në Maqedoni – AJFIX DOO nga Dobroshane, Kumanovë. Makso, sa kompani keni në Bullgari dhe sa në Maqedoni? Sa tenderë keni manipuluar? Sa para keni transferuar përmes kumbarëve dhe të afërmve”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Paralelisht, nga VMRO-DPMNE kanë reaguar me akuza ndaj Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK), ku deputeti Antonio Milloshoski shprehu dyshime për mënyrën e trajtimit të çështjes nga prokurorja Katerina Kolareviq në rastin e furnizimeve me mazut për TEC “Negotinë”.

“Babai i Kolareviqit, Pavle Markov, u zgjodh prokuror shteti nga qeveria e SDS-së në vitin 1998. Nëna e prokurores Kolareviq, Vera Markova, u zgjodh gjyqtare kushtetuese nga koalicioni SDS dhe BDI në vitin 2004. Këto karriera familjare të prindërve në familjen Kolareviq janë të lidhura fort me emërimet politike të qeverive të SDS-së. Pyetja është nëse kjo është arsyeja pse prokurori Kolareviq, për të dyshuarit si Vasko Kovaçevski, Adrian Muça, Asmir Jahoski dhe të tjerë të afërt me Ahmetin, Zaevin dhe Filipçen, nuk veproi me motiv për të zbuluar të vërtetën, por me motiv për të mbuluar rastin ‘Mazut’ prej 167 milionë eurosh”, tha Milloshoski.

Nga ana e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK) më herët u bë e ditur se procedura është ndërprerë pasi në hetim nuk është vërtetuar se të dyshuarit kanë kryer veprat penale për të cilat janë ndjekur, duke u bazuar edhe në deklaratat e përfaqësuesve të kompanive shtetërore që kanë marrë pjesë në procedurat e furnizimit.