Ish-konkurrentja e “Big Brother VIP Albania 4”, Loredana Brati, ka thyer heshtjen përmes një mesazhi drejtuar ndjekësve të saj në kanalin “Lori’s People”, duke sqaruar situatën e disa fotove që po bëjnë xhiron e rrjetit.
Loredana ka sqaruar se imazhet ku ajo shihet krah Jozit nuk janë reale, por produkt i Inteligjencës Artificiale. Ajo ka kërkuar që shpërndarja e tyre të ndalojë menjëherë, duke i cilësuar si dashakeqe.
“Prej disa kohësh po qarkullojnë foto të krijuara me AI, në të cilat shfaqemi unë dhe Jozi bashkë. Do të doja që kjo gjë të ndalonte. Këto përmbajtje jo vetëm që krijojnë iluzione dhe keqkuptime, por edhe përhapin disinformacion”.
Përtej sqarimit, Lori ka gjetur rastin të falënderojë fansat e saj që i kanë qëndruar pranë edhe në ditët e vështira. Ajo u shpreh se mbështetja e tyre ka qenë forca e saj më e madhe “në momentet më të errëta”.
Kujtojmë se Loredana dhe Jozi krijuan një romancë që u diskutua gjatë gjatë qëndrimit të tyre brenda shtëpisë së “Big Brother VIP Albania 4”. Megjithatë, ndryshe nga çfarë pritej, marrëdhënia e tyre nuk i mbijetoi jetës jashtë, duke përfunduar pothuajse menjëherë pas daljes nga reality show.
Ky reagim i fundit vjen si një përpjekje për të vendosur një vijë ndarëse mes të shkuarës dhe spekulimeve teknologjike që po tentojnë të rikthejnë vëmendjen te një histori tashmë e mbyllur.





