Lokalet 2025 në RMV: Gati 5 milionë euro për reklama zgjedhore, këto janë mediat që morën më shumë para

Gati 4.8 milionë euro publike kanë përfunduar në llogaritë e mediave gjatë zgjedhjeve të fundit lokale në Maqedoninë e Veriut. Partitë politike kanë vendosur vetë se sa para, cilës media do i ndajnë. Mbi 3.3 milionë euro kanë përfituar televizionet ndërsa portalet e internetit dhe gazetat kanë inkasuar rreth 377 mijë euro. Pjesa e parë e këtij hulumtimi paraqet shpenzimet për media dhe përfituesit kryesorë, ndërsa analizat e detajuara vijojnë në pjesët e ardhshme, shkruan Portalb.mk.

Të dhënat janë siguruar në janar të këtij viti nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KShZ), ku pas disa përpjekjeve arritëm të marrim një dokument voluminoz me të gjitha fakturat veç e veç, të cilat u zbërthyen për të përllogaritur pagesat totale.

Partitë politike, sidomos koalicionet më të mëdha, kanë shfrytëzuar në maksimum modelin zgjedhor të vendosur në vitin 2018, kur u vendos që shteti përmes partive t’i paguajë reklamat zgjedhore.

Që atëherë, nuk ka raport ndërkombëtar që s’e ka kritikuar këtë metodë të shpërndarjes së parave publike, por mesa duket partive nuk u bëhet vonë. Gjithsej 77 koalicione partiake dhe lista të pavarura kanë shpenzuar për këtë qëllim 4.78 milionë euro.

Pjesa më e madhe e këtyre parave u përqendrua te katër koalicionet më të mëdha, dy shqiptare dhe dy maqedonase, të cilat paraqiten në infografikën në vijim:

Katër koalicionet me harxhimet më të mëdha, Infografik: Ardit Ramadani/Portalb
Katër koalicionet me harxhimet më të mëdha, Infografik: Ardit Ramadani/Portalb

Ligji ua lë në dorë partive vendimin për shpërndarjen e mjeteve, duke u dhënë atyre liri që, sipas kritereve që i vendosin vetë, jo domosdo të lidhura me gazetarinë profesionale, të përcaktojnë se cilit medium dhe sa para do t’i ndajnë.

Pjesa më e madhe e reklamave politike u transmetua në televizionet kombëtare.

Shumat për media të përmendura në këtë artikull janë të paraqitura me TVSH dhe janë konvertuar në euro me kursin 61.5 denarë për euro.

Këto janë 10 televizionet që kanë marrë më së shumti mjete nga reklamat zgjedhore:

Televizionet me përfitimet më të mëdha. Infografik: Ardit Ramadani/Portalb

Për dallim prej televizioneve, për portalet e internetit ekziston një tavan prej 15 mijë eurove pa TVSH për portal, nga një parti politike, pavarësisht madhësisë, lexueshmërisë apo ndikimit që mund të ketë portali.

Por edhe këtij kufizimi, partitë në bashkëpunim me pronarët e portaleve të tyre të afërta, i kanë gjetur “ilaçin”; kështu, ka të ngjarë që një person të hapë disa faqje interneti me emra të ndryshëm, pasi ligji lejon që një kompani e cila operon me disa ueb-faqje të merr maksimumin e mjeteve financiare për secilën prej tyre.

Këto janë 15 portalet dhe gazetat me më së shumti mjete nga reklamat zgjedhore: 

Portalet dhe gazetat me përfitimet më të mëdha. Infografik: Ardit Ramadani/Portalb

Përfituesit kryesorë janë portalet të cilat kanë të paktën informacione minimale për kryeredaktorin përgjegjës, selinë dhe kontaktet.

Megjithatë, një pjesë e madhe e përfituesve të parave publike publikojnë artikuj joprofesional dhe të njëanshëm që janë në kundërshtim me një sërë nene nga Kodi Etik të Gazetarëve në Maqedoninë e Veriut.

Këto portale nuk kanë mbikëqyrje për mënyrën e shpenzimit të parave publike. Këto portale nuk kanë kontroll për kualitetin e prodhimeve gazetareske që i botojnë sepse marrja e parave nga koalicionet partiake është shumë e lehtë dhe pa ndonjë kriter të theksuar.

Lëmshi duket i qëllimshëm, por, a ka kush vendos rend?

Me pak fjalë, për portalet online nuk ka. Në Maqedoninë e Veriut ekziston Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audivizuele që është kompetente për të monitoruar reklamimin politik me pagesë, por vetëm të radiove dhe televizioneve.

Që kur shpallen zgjedhjet, deri në përfundimin e tyre kjo agjenci monitoron sjelljen e telezivioneve dhe radiove. Ata kryesisht ndjekin nëse transmetuesit i përmbahen limiteve për kohën shtesë të lejuar për reklamim politik të paguar, nëse transmetuesi kujdeset që dy herë radhazi të mos transmetojë reklamë për të njëjtën parti politike dhe ngjashëm.

Për shembull, gjatë zgjedhjeve lokale të 2025, ata kishin konstatuar që një televizion lokal kishte tejkaluar limitin e lejuar për reklamim politik me pagesë dhe kanë iniciuar procedurë kundërvajtëse në gjykatën kompetente.

Kështu, me pak fjalë, përpos që nuk ka asnjë kriter se cilat media të internetit mund të financohen nga paratë e shtetit përmes partive politike, ata s’ka as kush i kontrollon, as kush i ndëshkon për shkelje të rregullave, sepse në fakt, nuk ka fare rregulla.

Partitë politike të paguajnë vetë reklamimin në media, ose të ndalohet fare 

Zërijeta Hajro Jahjaga e cila aktualisht është zëvendës kryetare e Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audivizuele për Portalb.mk thotë se jo vetëm portalet, por asnjë reklamë politike nuk duhet të financohet me paratë e shtetit.

Zerijeta H Jahjaga, zv.drejtore e ASHMAA
Zerijeta H Jahjaga, zv.drejtore e ASHMAA

“Agjencia ka vërejtje serioze ndaj dispozitave të Kodit Zgjedhor (KZ) në pjesën që ka të bëjë me paraqitjen mediatike në përgjithësi dhe veçanërisht me dispozitat për RPP, pasi konsiderojmë se ky lloj reklamimi nuk duhet të financohet nga Buxheti, përkatësisht me paratë e qytetarëve. Në disa raste deri më tani, publikisht kemi theksuar se vetë Kodi Zgjedhor është burim rreziqesh zgjedhore për shkak të disa zgjidhjeve, paqartësive dhe mospërputhjeve të dispozitave”, tha Zërijeta Hajro Jahjaga.

Sipas saj, rregullat që vlejnë për internet portalet në Kodin Zgjedhor nuk janë të mjaftueshme.

“Agjencia vlerëson se është e nevojshme që në Kod të përcaktohen rregulla edhe për internet portalet që përfitojnë mjete buxhetore për reklamim politik me pagesë, konkretisht: të kenë impresum, domen .mk, strukturë pronësie transparente, si dhe të kenë funksionuar për më shumë se një vit. Praktika tregon se menjëherë para zgjedhjeve shfaqen ose aktivizohen media online të reja që funksionojnë qëllimisht vetëm gjatë periudhës zgjedhore; disa prej tyre nuk janë të regjistruara në vendin tonë dhe nuk ekziston mënyrë që të mbajnë përgjegjësi për përmbajtjen që publikojnë”, tha Hajro Jahjaga. 

Ajo shtoi se nëse veçse e drejta për mjete buxhetore u takon portaleve, duhet të vendoset një rregull që do t’i lejonte të marrin para vetëm internet portalet që janë të regjistruara në Regjistrin e Agjencisë, në të cilin lejohet regjistrimi vetëm i portalet që i plotësojnë disa kritere bazë. Sipas saj, transparenca duhet të jetë kyçe pasi bëhet fjalë për para publike, shtoi që palët duhet të ulen dhe të bisedojnë për një mekanizëm mbikëqyrës.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë ka vite që kërkon ndryshime ligjore

Jo vetëm publikisht, por edhe në takime me Ministrinë e Drejtësisë, ku diskutohen ndryshimet ligjore, përfaqësues të ShGM-së kanë kërkuar që t’i jepet fund praktikës së financimit të fushatave zgjedhore me para publike.

Në fakt, jo vetëm ShGM-ja, këtë ndërvite e kërkojnë edhe organizatat ndërkombëtare që monitorojnë proceset zgjedhore si ODIHR dhe rregullatori mediatik me të cilët biseduam paraprakisht, ASHMAA.

Dragan Sekullovski, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë theksoi se mekanizmi aktual i programit të paguar politik lë shumë hapësirë për keqpërdorime potenciale.

Dragan Sekuloski, SHGM. Foto: SEEMO
Dragan Sekuloski, SHGM. Foto: SEEMO

“Lë hapësirë për ndikim të drejtpërdrejtë mbi politikën redaktuese të një pjese të mediave, veçanërisht shqetësuese është gjendja te mediat online. Sipas raporteve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, në praktikë shfaqen faqe interneti pa impresum, faqe të krijuara menjëherë para zgjedhjeve, si dhe raste kur të njëjtët pronarë hapin disa platforma për të fshehur transaksionet dhe për të përfituar mjete publike. Kjo e ul transparencën dhe krijon rrezik serioz për keqpërdorim të fondeve publike”, tha për Portalb.mk Sekullovski.

Meqë vullnet për heqjen e kësaj praktike nuk ka, Sekulovski thotë se ShGM ka propozuar mekanizma rregullues, me synimin për të kufizuar hapësirën për keqpërdorime.

Me ndryshimet e fundit në Ligjin për Media, është vendosur i ashtuquajturi regjistër vullnetar i mediave online, pjesë e të cilit mund të bëhen vetëm ato internet portale të cilat i plotësojnë disa kushte të caktuara.

Ai thotë se duhet të shtohet në Kodin Zgjedhor që para nga shteti të mund të marrin vetëm ato internet portale që janë pjesë e këtij regjistri.

“Që kjo të bëhet, janë të domosdoshme edhe ndryshime në Kodin Zgjedhor të cilat do të parashihnin që në fushatën parazgjedhore të mund të marrin pjesë vetëm mediat online që janë pjesë e këtij regjistri. Në këtë mënyrë, nëse koncepti i shpenzimit të mjeteve publike për promovim partiak vazhdon të ekzistojë, të paktën do të përmirësohet transparenca: portalet që nuk plotësojnë standardet minimale mediatike, siç është detyrimi për impresum, thjesht nuk do të përfshihen në sistemin e programit të paguar politik”, shtoi Sekulovski.

Nora Kaliqi është eksperte e medias, pjesë e Këshillit për Etikë në Media. Ajo për Portalb.mk thotë se deri te ata vazhdimisht arrijnë ankesa për përmbajtje joprofesionale të publikuara në portalet e internetit.

Nora Kaliqi, eksperte e medias
Nora Kaliqi, eksperte e medias

“Në bazë edhe të statistikës së fundit nga ankesat e drejtuara në Komisionin për Ankesa për vitin 2025, vërehet se pjesa më e madhe e shkeljeve lidhet pikërisht me hapësirën online, ku dominon përmbajtja joorigjinale dhe mungesa e përgjegjësisë editoriale. Pa lidhjen e qartë mes transparencës dhe financimit publik, rrezikojmë që sistemi të vazhdojë të shpërblejë përmbajtje joprofesionale në dëm të informimit të qytetarëve”, tha Kaliqi.

Një pjesë e madhe e këtyre internet portaleve që marrin shuma të mëdha parash për reklamim të paguar politik nuk plotësojnë standardet minimale profesionale.

“Monitorimi ynë e konfirmon këtë realitet, një pjesë e mediave që prodhojnë përmbajtje problematike operojnë jashtë çdo mekanizmi identifikimi dhe llogaridhënieje. Mungesa e transparencës, burimet e paqarta dhe përmbajtja e ricikluar krijojnë një ambient ku standardet profesionale relativizohen dhe ku konkurrenca bëhet e pabarabartë”, tha Kaliqi.

Ajo ritheksoi nevojën që në Kodin Zgjedhor të përfshihet kushti që mediat përfituese të fondeve publike të jenë pjesë e një regjistri zyrtar. Aktualisht, vetëm 29 portale janë të regjistruara në regjistrin e ASHAM ndërsa rreth 250 portale kishin aplikuar për të marrë mjete për reklamim politik.

Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e vitit 2024, në raportin e tij, theksoi se “nuk ka rregulla specifike për portalet online”, dhe shumë portale u krijuan pak para zgjedhjeve pikërisht për të marrë para shtetërore. ODIHR-i rekomandoi që nëse ky model vazhdon të zbatohet, “duhet të vendosen urgjentisht kritere të qarta dhe objektive për pranueshmërinë e portaleve online për rifinancim shtetëror të reklamave politike të paguara”.

Analizat e detajuara mbi mënyrën se si janë shpërndarë këto mjete nga secili prej katër koalicioneve më të mëdha dhe kush janë përfituesit kryesorë vijojnë në pjesët pasuese të këtij hulumtimi.

Ky hulumtim është mbështetur nga European Fund for the Balkans (Fondi Evropian për Ballkanin) në kuadër të Nismës për Demokraci të Angazhuar. Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë vetëm të autorit dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht qëndrimet apo pikëpamjet e Fondit Evropian për Ballkanin.