Lojërat Olimpike në Tokio, presidentja Osmani udhëton për në Japoni

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Japoni, ku krahas shumë liderëve të tjerë botërorë do të jetë prezentë në hapjen e Lojërave Olimpike Tokio 2020.

Një njoftimin për media të Presidencës thuhet se Osmani do të zhvillojë edhe një sërë takimesh bilaterale me përfaqësues të shtetit japonez.

Gjatë qëndrimit në Tokio, presidentja Osmani së bashku me liderë të tjerë botërorë do të pritet nga Perandori Naruhito.

Teksa në kuadër të takimeve bilaterale, Osmani do të realizojë takime me kryeministrin e Japonisë, Yoshihide Suga, ministrin e jashtëm Toshimitsu Motegi, me përfaqësues të organizatave ekonomike e tregtare si dhe me përfaqësues të tjerë shtetëror.

Ndryshe, Kosova do të përfaqësohet me 11 sportistë në Lojërat Olimpike Tokio, ndërkaq Presidentja Osmani do t`i mbështesë ata nga afër.

Presidentja ka përgëzuar sportistët kosovarë, duke uruar që secili nga ta të triumfojë në disiplinat përkatëse sportive.