Loja me fate njerëzish

Shkruan: Shkelzen Halimi

Faza kalimtare e shqiptarëve nga komunizmi në demokraci do të bëhet tunel pa fund. Në fakt, kjo fazë do të mbesë aty ku u tha se mori fund komunizmi, duke mos bërë asnjë një hap përpara. Në ndërkohë, u dëshmua se shqiptarët akoma nuk janë liruar nga folklorizmi. Petku përrallor që u hidhet mbi supe bartësve të elitave politike, vazhdimisht i katapulton disa “heronj” të lagjeve tona, të cilët politikën shqiptare e mbështjellin vetëm me kaos dhe më “nuk dihet se kush han, kush pi e kush paguan”.

Punësimi si nevojë e sigurimit të ekzistencës me rekomandim të partisë (si në komunizëm), u bë dukuria më e shëmtuar e shoqërisë shqiptare. Kjo dukuri që krah më krahë hapi Kutinë e Pandorës, u tregua me shumë se kobzezë, duke e plandosur arsimin, duke luajtur me fate njerëzish, duke përhapur nihilizmin midis të rinjve, të cilët pandërprerë kërkojnë shpëtim larg vendlindjes.

Mikro heronjtë e partisë në pushtet si aktivitet të tyre të veçantë kanë hartimin e listave të punësimit me emra të militantëve, të cilët garantimin e punës, jo vetëm që do ta blejnë me aktivitet herë – herë edhe të njollosur, por do ta blejnë edhe në mënyrë konvencionale, me lekë, të cilat për funksionim normal i “shkojnë arkës së partisë”. Sepse, dikush kishte thënë: partia ndryshe s’mund të funksionojë…