“Llaskarca”, eksperti: autobusi nuk ndaloi në momentin e aksidentit

Eksperti i fushës teknike i cili dëshmoi sot për rastin e “Llaskarcës”, ku humbën jetën 16 udhëtarë, tha se autobusi i “Durmo Turs”, në momentin e aksidentit nuk është ndalur, vetëm është kthyer në të djathtë dhe për një moment i goditi rrethojat e autostradës, ku më pas është rrokullisur. Millan Qosevski, profesor në Fakultetin e Makinerisë në Shkup, tha se ai së bashku me kolegët e fakultetit, me urdhër të Prokurorisë  janë angazhuar për të bërë një pjesë të analizës për shkaqet e aksidentit dhe për të njejtën në vendin e ngjarjes kanë realizuar më shumë se 400 fotografi.

Millan Qosevski, ekspert teknik

“Ekspertiza jonë filloi me shikim të rrugës nëse ka pasur ndonjë gropë e cila ka mundur ta dëmtoj autobusin. Edhe rrethoja ishte pjesë e hetimit, si dhe lokacioni ku ka qenë autobusi. Në rrugë nuk kishte asnjë gropë që do të mund të kishte ndikuar ndaj lëvizjes së automjetit. Nuk ka gjurmë të ndalesës së autobusit në autostradë. Automjeti ka goditur dhe e ka shkelur rrethoren e parë. Me një shpejtësi të madhe pastaj ka goditur rrethojën e dytë dhe ka kaluar përmes saj. Pasi ka kaluar në anë të kundërt, në anën e autostradës Tetovë-Shkup, depërtoi në rrethojën e tretë dhe ka dalë nga rruga. Pikërisht atëherë automjeti ka filluar të bjerë dhe është rrokullisur”.

Në seancën e sotme dëshmoi edhe dëshmitari Senat Hasani, i cili jeton dhe punon në Serbi, ndërsa në momentin e fatkeqësisë ai kishte qenë duke u kthyer nga Serbia për në vendlindje. Ai tha se mënyra se si kishte vepruar shoferi i autobusit në momentin kritik, i kishte dhënë përshtypjen sikur të kishte pasur sulm në zemër.

Senat Hasani, dëshmitar

“Autobusi ka qenë diku 100 metra para meje. Unë kthehesha prej Serbisë dhe isha duke shkuar në Gostivar. Isha duke vozitur në një shpejtësi prej 80-90 kilometra në orë. Autobusi u ndalur për një moment pa dhënë shenjë,  ktheu në të djathtë, i tejkaloi rrethojat dhe doli nga rruga. Mënyra se si shoferi veproi më dha përshtypjen sikur  të kishte pasur sulm në zemër.  E ndala veturën, për të parë së çfarë kishte ndodhur, por vetëm pas 15 minutash  u largova nga aty”.

Aksidenti në Llaskarcë ndodhi më 13 shkurt të këtij viti, në të cilin humbën jetën 16 udhëtarë, ndërkaq akuzohen 6 persona. Pronari i “Durmo Turs” dhe njëkohësisht i akuzuari i parë në këtë rast Durmish Beluli, tashmë gjendet në paraburgim shtëpiak./SHENJA/