Liz Truss, kryeministrja e Britanisë së Madhe dha dorëheqjen këtë të enjte, 45 ditë pasi mori drejtimin e qeverisë.
Truss u vu në qendër të polemikave për një plan të dështuar për uljen taksave të prezantuar nga qeveria muajin e kaluar. Plani ekonomik shkaktoi trazira financiare dhe një krizë politike që solli dhe shkarkimin e Ministrit të Financave të Truss, ndryshime të politikave dhe një përplasje të brendshme në Partinë Konservatore në pushtet.
Gjatë një konference për mediat Truss deklaroi se “kishte një vizion për një ekonomi me taksa të ulëta dhe me rritje të lartë ekonomike, por ky vizion nuk u mbështet dhe si rrjedhojë ajo po hiqte dorë nga mandati i saj”.
Truss tha se ajo i ka paraqitur dorëheqjen Mbretit dhe zgjedhjet për kryetarin e ardhshëm të Partisë Konservatore do të zhvillohen brenda një jave.
Vendimi për dorëheqje vjen pasi një prej ministrave të kabinetit të saj dha dorëheqjen të enjten.
Liz Truss bëhet kështu kryeministrja me mandatin më të shkurtër në historinë e Britanisë së Madhe, duke dhënë dorëheqjen vetëm gjashtë javë pasi mori detyrën.
Truss deklaroi se do të qëndronte në detyrë deri sa të caktohej pasardhësi i saj.
Kandidati kryesor për të marrë postin e kryeministrit të Britanisë së Madhe është Rishi Sunak i cili u mposht në garën për kryetar të Partisë Konservatore dy muaj më parë, pikërisht nga Truss.
Asokohe, Sunak paralajmëroi rivalen e tij se planet e saj për uljen e taksave do ta çonin ekonominë britanike në rënie të lirë.
Rishi Sunak fitoi çdo raund votimesh mes deputetëve në garën për lider të Partisë Konservatore, por ka pikëpyetje nëse ai mund të ribashkojë partinë, pasi shihet si figura kryesore që luajti një rol kyç në largimin e Boris Johnson nga posti i kryeministrit.
Ky lajm është në përditësim…