Liverpoolit i kthehen Van Dijk dhe Wijnaldum

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Kloppit, i është gëzuar kthimit të Virgil van Dijkut dhe Georginio Wijnaldumit në seancat stërvitore me skuadrën, para finales së Kupës së Botës për Klube kundër Flamengos.

Qendërmbrojtësi holandez, Virgil van Dijk, i cili ka luajtur në çdo minutë të këtij sezoni të Premierligës, ishte sëmurë në ditën para ndeshjes gjysmëfinale kundër Monterreyt dhe mungoi në atë ndeshje, që Liverpooli e fitoi me rezultat 2:1, transmeton Gazeta Express.

Pasi që Joe Gomez është i vetmi qendërmbrojtës tjetër nga ekipi i parë, Jordan Henderson luajti në vijën e mbrojtjes me bashkëkombësin e tij anglez, përkundër që ai është mesfushor.

Megjithatë, holandezi arriti t’i bashkohet skuadrës së Liverpoolit për stërvitjen e së premtes, para finales që zhvillohet të shtunën në orën 18:30. Pjesë e kësaj stërvitjeje ishte edhe Georginio Wijnaldum, i cili u lëndua gjatë ndeshjes kundër Watfordit.

“Do ta shohim. Virg ishte pjesë e stërvitjeve sot, edhe Gini e mbajti një seancë stërvitore sot. Do ta shohim si do të duket situata në fund. Nuk kemi asnjë shqetësim tjetër sa i përket lëndimeve”, ka thënë Kloppi.

“Si mund ta imagjinoni, luajtëm të mërkurën në mbrëmje dhe tani është e premte, kështu që ne duhet ta përdorim çdo orë për rikuperimin e lojtarëve dhe për gjëra të tilla. Këtë gjë e bëmë dhe tani do ta shohim kush mund të luajë nesër”. /Gazeta Express/