“Liria ka emër” organizon marsh për drejtësi në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

Të dielën, më 2 prill, në Prishtinë, platforma “Liria ka emër”, organizon marsh qytetar dhe solidarizues në mbështetje të luftës së drejt të UÇK-së dhe ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre në Hagë.

Marshi do të niset nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe do të vazhdojë në drejtim të sheshit “Skënderbeu”.

Ideatorët e platformës “Liria ka emër, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë thënë se ish-krerët e UÇK-së nuk janë duke u përballur me procesin gjyqësor për shkak të emrave të tyre të përveçëm, por për shkak se me emrat e tyre lidhet epoka më e ndritur e historisë.

“Përkundër se populli shqiptar ka qenë viktimë e një lufte të imponuar, me vite të tëra, proceset gjyqësore të pabaza, i kanë përndjekur ndër vite ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kulmi i të cilave manifestohet me procesin e Dhomave të Specializuara, në të cilat aktualisht po mbahen ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarë të tjerë”, ka thënë Hoxha.

Më tej, ajo ka shtuar se duke qenë plotësisht koshientë se drejtësia si parim, është e paanshme, e plotë dhe manifeston të vërtetën, ajo beson në drejtësi, si dhe pret një epilog të drejtë të këtij procesi gjyqësor.

“Gjithsesi, duhet të jemi edhe koshientë, se përpjekja për ta ndryshuar historinë e luftës sonë çlirimtare, është përpjekje e pabazë dhe e pamundur dhe nemnuk duhet ta lejojmë që të ndodhë. Prandaj, me rastin e fillimit të procesit gjyqësor kundër ish-krerëve të UҪK-së, në emër të solidaritetit me heronjtë tanë, më 2 prill, ju ftojmë për një marsh solidarizimi për drejtësi. Për drejtësinë që e kërkojmë dhe kundër padrejtësive të reja”, ka thënë Hoxha.

Ideatori tjetër, Ismail Tasholli, ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të drejtë për mbrojtjen e jetës së njerëzve dhe për lirinë e vendit dhe kjo është një e vërtetë historike, e cila duhet të ruhet si të tillë, sepse është e vërteta e Kosovës.

“Megjithatë, përbrenda vetë nesh, e kemi për obligim që të vërtetën historike e dinjitetin tonë kombëtar ta mbrojmë me përkushtim dhe pikërisht për këtë qëllim”, ka thënë Tasholli.

Me këtë rast, Tasholli ka ftuar të gjitha grupet shoqërore që të solidarizohen dhe të marrin pjesë në këtë marsh, sepse kështu, sipas tij, manifestohet krenaria dhe bindjet e palëkundura për drejtësinë që duhet të triumfojë ashtu siç ajo duhet të përputhet me të vërtetën e Epokës së lavdishme të UҪK-së.