Kandidati i VLEN për kryetar të komunës së Kërçovës, Fatmir Limani ka komentuar përgjimet e fundit që janë publikuar nga El Cheka, ku pretendohet se janë biseda që ka bërë kryetari aktual i komunës së Kërçovës Fatmir Dehari, përcjell TV21. Limani thotë se nuk dëshiron të shfrytëzojë raste të këtilla, respektivisht se Prokuroria duhet të merret me këtë çështje, ndërsa thekson se është i fokusuar në platformën e tij dhe në atë se çfarë ofrojnë.
“Jam kategori njeriu i cili, nuk shfrytëzoj nga rastet e këtilla. Do t’ua lëmë Prokurorisë këto çështje të përgjimeve që kanë ndodhur në Kërçovë. Unë me keqardhje, përshkoj gjithë këtë situatë, sepse mbi të gjitha unë në fund të ditës edhe në fund të çdo ngjarje kujtoj fëmijët e tyre, kujtoj familjarët e tyre dhe fundi i fundit nuk i pëlqej këto mënyra dhe këto forma. Por sido që të jetë, secili politikan do duhet t’i vendojë gishtin kokës dhe të kujtojë në të gjitha hapat që i zhvillon se si sillet, sepse vjen një ditë dhe përmbyllet edhe karriera, po e rëndësishme shumë se a e përmbyllim karrierën me faqe të bardhë apo të nxirë. Edhe njëherë them, me keqardhje përshkoj gjitha këto zhvillime të ngjarjeve, por jam i fokusuar më tepër në atë se çka ofrojmë ne, kush është platforma të cilën e ofrojmë ne dhe s’do të merremi me atë se çka është bërë ose çka s’është bërë deri më sot”, tha mes tjerash Limani.