Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Fatmir Limani, ka reaguar ndaj sulmeve të fundit politike drejtuar ambasadorit të Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, duke dërguar një mesazh simbolik përmes një tregimi mbi besnikërinë dhe mbështetjen vëllazërore. Në një status të publikuar në rrjetet sociale, Limani ka kritikuar në mënyrë të tërthortë përfaqësues të VLEN-it për qëndrimet e tyre ndaj ambasadorit shqiptar, duke theksuar se lidhjet vëllazërore nuk ndërpriten për shkak të mosmarrëveshjeve apo sulmeve të momentit.
Përmes tregimit me titull “Vëllau”, ai përshkruan historinë e një personi të gjendur përballë kritikave dhe dënimeve nga të gjithë, por që nuk braktiset nga i vëllai. Në rrëfim, vëllai i drejtohet atij me fjalët: “Vëlla, s’mbroj qëndrimet tua, por nuk mund të të braktis ty. Edhe kur je kundër gjithë botës, mbetesh vëllau im.” Sipas Limanit, vëllai i mirë të qëndron pranë edhe kur gabon, e aq më tepër kur nuk ka faj. Në fund të statusit ai lë edhe një mesazh politik, duke aluduar për përçarje brenda kampit kundërshtar.
Statusi i plotë i ministrit Fatmir Limani:
VËLLAU
Ishte bërë i ashpër dhe i pa’arsyeshëm në qëndrime. Zënkat dhe keqkuptimet e sollën deri te dera e hyqymetit…
Të gjithë kundërshtarët e dënuan:
– “Nuk meriton mëshirë… !”
Vetëm vëllau i tij, shkoi ta takonte.
E pa gjatë në sy dhe tha:
– “Vëlla, s’mbroj qëndrimet tua, por nuk mund të të braktis ty. Edhe kur je kundër gjithë botës, mbetesh vëllau im.”
Vëllau i mirë të mbron edhe kur gabon e lere kur s’ke asnjë faj.
*U ka hyrë sherri në mes…, do kërkojn me qiri (ditën), por s’do gjejnë “argat” sikurse….
B. L.



