Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka ritheksuar se duhet marrëveshje politike për ndërtimin e institucioneve, në të kundërtën sipas tij çdo zgjidhje parciale do të thotë zgjedhje të parakohshme.
Deputeti Limaj pak para se të vazhdoj seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës tha se emri i kryetarit të Kuvendit duhet të dihet paraprakisht.
“Nuk duhet të befasohet emri i kryetarit të Kuvendit, duhet të dihet paraprakisht, të ketë 61 vota të shkohet dhe të votohet ka vendimmarrje politike siç ka ndodhur herët tjera. Kontributi më i madh siguria për të ndërtuar institucione është sikurse ka ndodhur gjithherë kur ju nuk i keni votat e mjaftueshme dhe bëni përpjekje për marrëveshje politike e cila garanton dhe siguron shumicën parlamentare nga e cila del edhe kryetari i Kuvendit dhe qeveria e Kosovës. Dhe që këto ditë që kanë mbetur duhet të shfrytëzohen nëse duam që të ndërtojmë institucionet kjo është rruga çfarëdo zgjidhje parciale provokon situata tjera e jo krijim të institucioneve. Zgjedhje të parakohshme mund të provokon, mbetesh me zgjidhje gjysmake që nuk janë në interes të Kosovës. Ne jemi të përkushtuar dhe interesuar që Kosova t’i ketë të gjitha institucionet sa më shpejt”, deklaroi Limaj.
Deputeti i Vetëvendosjes, Hekuran Murati në seancën e sotme konstituive, nuk ka arritur të marrë 61 votat e nevojshme për t’u bërë kryetar i Kuvendit.
Përfaqësuesja e koalicionit Lëvizjes Vetëvendosje, Alternativa dhe Lëvizja Guxo, Donika Gërvalla, propozoi ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Muratin, duke thënë se ai ka bërë një punë të shkëlqyeshme si ministër i Financave./kp/