Zëvendëskryeministri Arben Fetai, ka dënuar abuzimin seksual dhe shantazhin ndaj së miturës nga fshati Sllupçan i Komunës së Likovës, akt për të cilin dyshohen të paktën 17 persona.
Sipas Fetai, autoritetet duhet ta zbardhin rastin, ndërsa familjes dhe viktimës duhet t’i ofrohen të gjitha ndihmat e nevojshme mbi bazën e mekanizmave ligjor.
“Dënoj me ashpërsinë më të madhe aktet e rënda dhe të neveritshme të abuzimit seksual dhe shantazhit ndaj një të miture në fshatin Sllupçan, Komuna e Likovës”, tha Arben Fetai, Zëvendëskryeministër.
Ndërkohë policia sipas burimeve jo zyrtare është duke vazhduar hetimin. Burime të Alsat bëjnë të ditur se në shemën e shantazhit është i përfshirë edhe një familjar i afërm i viktimës, që dyshohet se ka qenë i njoftuar për veprimet e së miturës dhe e ka kushtëzuar me para nëse dëshiron që të mos i tregon babait të saj.
Abuzuesit mësohet se janë të moshave të ndryshme, ndërsa grupi hetimor është duke analizuar të gjitha të dhënat nga celulari i së miturës dhe personave të tjerë të dyshuar, për të konstatuar çdo lidhshmëri të mundshme të secilit person që dyshohet se është i përfshirë në rrjetin e abuzimit me të miturën.
Pas vërtetimit të veprave penale “shantazh” dhe “abuzim seksual me të mitur” policia kallëzimin penal pritet t’ia dorëzon Prokurorisë Publike në Kumanovë. Organi themelor i akuzës do të bën vlerësimin, për ta parë nëse ka elemente që lënda t’i dorëzohet Prokurorisë së Krimit të Organizuar në Shkup. / Alsat.mk




