Ligji për Prokurorinë, Bërns: Partitë politike t’i tejkalojnë interesat partiake

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë nga aktorët politik në Maqedoninë e Veriut t’i tejkalojnë interesat partiake dhe të miratojnë ligjin për Prokurorinë Publike. Ambasadorja e SHBA-së, Kejt Marie Bërns tha se ky ligj do të jetë kyç që Maqedonia e Veriut të dëshmojë angazhim derisa pret fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Bërns porosit Shkupin të vazhdojë me reformat për t’i bërë institucionet më të pavarura, të fokusohet që zgjedhjet e prillit të jenë të rregullta dhe të vazhdojë të ruajë marrëdhëniet e mira fqinjësore.

Në mënyrë më specifike, kur flasim për demonstrimin e gatishmërisë së Maqedonisë së Veriut për integrim në BE, mendojmë se miratimi i propozim ligjit për Prokurorinë Publike do të dëshmonte në këtë kohë kritike angazhimin e Maqedonisë së Veriut për sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Kjo duhet të jetë mbi politikat partiake. Çështja e Prokurorisë Speciale Publike duhet të vazhdojë. Qytetarët presin dhe meritojnë të shohin se ato që kanë keqpërdorur besimin publik do të japin llogari dhe se drejtësia është e njëjtë për të gjithë – tha Kate Marie Byrnes, Ambasadore e SHBA-së.

Me porosi për të vazhduar reformat doli edhe ambasadori i Gjermanisë, Tomas Gerberich dhe ai i Italisë, Carlo Romeo.

Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Maqedoninë e Veriut në rrugën drejt BE-së, siç e kemi mbështetur gjithmonë. Po llogarisim se vendi do të intensifikojë reformat, në mënyrë që të binden të gjithë ata që dyshojnë se vendi i këtij shteti është në BE – tha Tomas Gerberich, Ambasador i Gjermanisë.

Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë reformat dhe politikat, veçanërisht në pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën e fortë kundër korrupsionit. Këto reforma janë kyçe jo vetëm për anëtarësimin e ardhshëm evropian, por janë thelbi i kërkesave të qytetarëve dhe pritjeve të tyre nga një shtet me institucione të fuqishme demokratike, Sundim të ligjit, drejtësi, mundësi të barabarta dhe zhvillim ekonomiko-social për të gjithë – u shpreh Carlo Romeo, Ambasador i Italisë.

Gerberich e Romeo theksuan se shtetet e tyre po angazhohen për metodologjinë e BE-së, por duke theksuar se e njëjta nuk duhet të bëhet parakusht, respektivisht të shtyjë hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, gjë që sipas tyre, është e rëndësishme për sigurinë dhe stabilitetin e Evropës dhe kredibilitetin e BE-së./Alsat