Ligji për përdorimin e gjuhëve, në bazë të cilit gjuha shqipe fiton një shtrirje më të gjerë të përdorimit zyrtar në institucionet e Maqedonisë së Veriut, edhe një vit pasi ka hyrë në fuqi përballet me shumë vështirësi që të zbatohet në praktikë, raporton REL.
Të gjitha institucionet që nuk e zbatojnë Ligjin për gjuhët mbeten të pandëshkuar si rrjedhojë e vonesave për formimin e një inspektorati për këtë çështje, përkatësisht për dënimin e shkelësve të këtij ligji.
Përderisa nga Agjencia për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, në njëvjetorin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë bërë të ditur se në mbi 90 për qind të institucioneve në Maqedoninë e Veriut, dygjuhësia nuk zbatohet siç përcaktohet në ligj.
Por, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, thotë për Radion Evropa e Lirë, se gjuha shqipe është pjesë përbërëse në të gjitha institucionet e shtetit.
“Fillimi realisht ka qenë i mbarë. Pothuajse të gjitha institucionet i kanë ndryshuar tabelat e njoftimit, të cilat tani janë në dy gjuhë. Janë krijuar kapacitetet për përkthim në qeveri. Tani në qeveri komunikojmë në gjuhën shqipe dhe po ashtu në institucionet tjera. Në sekretariatin për çështje evropiane, çdo dokument që del nga ky institucion është në gjuhën shqipe”, thotë zëvendëskryeministri Osmani.
Osmani shton se po punohet në ngritjen e kapaciteteve që në çdo institucion të gjejë zbatim përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe.
“Duke pasur parasysh se në disa institucione mungojnë kapacitetet njerëzore për përkthime ligjore adekuate të dokumenteve zyrtare. Jo në të gjitha institucionet përdoret në dokumentacionin zyrtar dygjuhësia ose gjuha shqipe, por jam i sigurt se në këtë periudhë, çdo institucion po bën përpjekjet e veta për të krijuar kapacitetet e duhura në përputhje me Ligjin për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe”, thotë zëvendëskryeministri Bujar Osmani.
Megjithatë, ekspertët kanë theksuar në vazhdimësi se mungesa e vullnetit politik dhe angazhimi i kuadrove partiakë pa aftësi profesionale, janë pengesat kryesore që po bllokojnë jetësimin në praktikë të zyrtarizimit të gjuhës shqipe.
“Kemi njerëz të emëruar nëpër organe të cilët nuk kanë kulturë të mjaftueshme gjuhësore, do të thotë nuk janë këta persona të kualifikuar me njohuri të thella të përdorimit të gjuhës shqipe, por janë militantë partiakë, që nuk janë të specializuar në gjuhësi, e aq më pak në terminologji juridike. Për këtë fajin e ka faktori politik në qeveri, që nuk delegon njerëz kompetentë në institucionet përkatëse që këto devijime të mos ndodhin”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Dervish Alimi, ligjërues në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Tetovës.
Alimi thotë se Ligji për përdorimin e gjuhëve ka zbrazëtira juridike, që sipas tij, bëjnë që të ketë ngecje në zbatimin në praktikë të këtij ligji.
Ndërkaq, Agjencia për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve thekson se të gjitha institucionet që ballafaqohen me vështirësi për ta zbatuar këtë ligj, duhet të drejtohen në këtë institucion. Drejtori i kësaj agjencie, Ylber Sela, ka bërë të ditur se përmes një pyetësori, që u është dërguar të gjitha institucioneve, për të parë nëse duhet ndihma e agjencisë për zbatimin e Ligjit për shqipen, shumica e institucioneve shtetërore janë përgjigjur negativisht.
Ndryshe, para një muaji Komisioni i Venecias, kërkoi që Ligji për gjuhët të rishikohet dhe të shqyrtohet dygjuhësia në procedurat gjyqësore.
Në këtë drejtim, zëvendëskryeministri për çështje të integrimeve evropiane, Bujar Osmani është shprehur i prerë se ligji është i pakthyeshëm dhe organet e sistemit gjyqësor duhet të përforcojnë kapacitetet e tyre sa i përket përkthyesve dhe lektorëve.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ende nuk ka marrë vendim lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në monedhat si dhe në uniformat e Armatës, pasi që grupi punues, që duhet të veprojë sipas rekomandimit të Komisionit të Venecias, ende nuk e ka përcaktuar se në bazë të cilit plan do të veprohet./REL