Ligji për paga rikthen grevat në Kosovë

Rreth 82 mijë persona që paguhen nga buxheti i shtetit të Kosovës do të marrin pagën e njëjtë, pa rritje, deri në muajin mars të vitit të ardhshëm.

Shumë nga ta kanë pritur t’i marrin rrogat me rritje, por një gjë e tillë nuk do të ndodhë, pasi Gjykata Kushtetuese pas kërkesës së parashtruar nga Avokati i Popullit, të enjten e ka pezulluar zbatimin e ligjit.

Vendimi i kësaj gjykate është parë si shkas nga punëtorët e sektorit të shëndetësisë dhe arsimit që të mbajnë grevë disa orëshe. Mjekët kanë trajtuar vetëm rastet urgjente, kurse mësuesit nuk kanë mbajtur mësim dy orët e para. Disa shkolla nuk kanë përfillur këtë vendim të sindikatës së tyre.

Drejtuesi i sindikatës së Qendrave të Kujdesit të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Sherif Makolli, thotë se punëtorët shëndetësorë kanë pritur që ta marrin pagën me rritje nga muaji dhjetor.

“Greva sot është një paralajmërim për pagat, do të thotë për Ligjin mbi pagat që të realizohet dhe të merret paga me rritje. Dihet, kërkesa është zbatimi i ligjit, i cili veçse ka hyrë në fuqi kjo është kërkesa e vetme”, tha Makolli.