Ka mbaruar debati publik për ligjin reformues për funksionet e larta drejtuese, ku ekspertët dhe publiku i vunë në dukje mangësitë e asaj që pushteti e quan “zgjidhje historike për departizimin e administratës”. Nga gjithsej 1.347 institucione, me këtë ligj drejtorë do të zgjidhen vetëm në 49 prej tyre, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.
Të paktën shtatë vjet përvojë pune në fushën që do të drejtojnë, si dhe të paktën pesë vjet përvojë në udhëheqësi dhe menaxhim të projekteve në fushën përkatëse, janë këto kushtet kryesore sipas të cilave do të zgjidhen drejtorët e rinj në institucionet shtetërore me ligjin për reformat për shërbimin e lartë udhëheqës. Nëse në një konkurs aplikojnë më shumë kandidatë, atëherë ata për vendin e punës do i nënshtrohen testeve dhe intervistave.
Por, këto rregulla janë paraparë që të vlejnë vetëm për 49 drejtorë dhe zëvendësit e tyre në institucionet shtetërore, 19 sekretarë shtetërorë dhe anëtarë të 13 këshillave drejtuese, edhe pse në Regjistrin e Ministrisë së Administratës janë të regjistruara gjithsej 1.374 institucione të sektorit publik.
Me këtë propozim-ligj, të paralajmëruar nga Qeveria si një zgjidhje sistemike “që një herë e përgjithmonë do t’i japë fund punësimit partiak dhe nepotizmit “, do të përfshihen vetëm pozicionet e larta të administratës shtetërore, pra ato institucione që janë drejtpërdrejt nën ombrellën e pushtetit qendror, e që janë dy herë më pak se sa ato që janë nën pushtetin lokal.
Kryetari i komunës të emëron, kryetari i komunës të shkarkon
Sipas regjistrit të sektorit publik Qeveria është themeluese e 443 institucioneve, ndërsa 830 janë të regjistruara nën pushtetin lokal. Pjesa tjetër është nën pushtetin gjyqësor dhe atë parlamentar. Kjo do të thotë që rregulli “kryetari i komunës i emëron dhe kryetari i komunës i shkarkon” drejtorët në institucionet publike dhe ndërmarrjet publike do të mbetet në fuqi.
Ekspertët e përshkruajnë propozim ligjin për shërbimin e lartë udhëheqës si një hap të parë të mirë që ka nevojë për disa korrigjime për të qenë “më i fortë dhe më i qëndrueshëm”. Ky propozim, të cilit i skadoi afati për komente në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Rregulloreve (ENER), është versioni i katërt që nga viti 2017, kur edhe u njoftua për reforma në administratë.
Profesori në Fakultetin e drejtësisë, Borçe Davitkovski, është i mendimit se si për fillim është një ide e mirë tentativa për ndarjen e politikës partiake të ministrit dhe zëvendësit të tij nga menaxhimi profesional i administratës, sekretarëve të përgjithshëm dhe institucioneve të ngjashme, që të mos ndodhë më, siç thotë ai, që dikush me diplomë për edukatë fizike të bëhet drejtor i një drejtorie për të cilën nuk ka as përvojë dhe as njohuri.
Por, ai thekson se fushëveprimi i ligjit duhet të zgjerohet, pra që më shumë njerëz të duhet t’i nënshtrohen rregullave të reja.
Do të ishte mirë që paralelisht me këtë ligj të miratoheshin edhe Ligji për Ndërmarrjet Publike dhe Ligji për Institucionet. Është evidente se po trajtohet vetëm pushteti klasik shtetëror, por shumë i rëndësishëm është edhe ligji për ndërmarrjet publike, ku Qeveria i zgjedh këshillat drejtues dhe drejtorët. Nevojitet një reformë e të gjithë sektorit publik për t’i precizuar kushtet për pozitat udhëheqëse kudo”, tha Davitkovski.
Decentralizimi, pengesë në betejën kundër partizimit
Nga Ministria e Administratës thonë se arsyeja se pse ligji e mbulon vetëm administratën shtetërore dhe fondet shtetërore është parimi i decentralizimit dhe vetëqeverisjes lokale.
“Kriteret dhe procedurat për përzgjedhjen e drejtuesve të organeve dhe institucioneve nën juridiksionin e komunave janë dhe do të vazhdojnë të rregullohen nga ligjet sektorial relevante (siç janë ligjet për vetëqeverisjen lokale, arsimin, kulturën dhe fusha të tjera), si dhe aktet nënligjore të miratuara nga autoritetet kompetente, ku komunat kanë një rol dhe përgjegjësi të rëndësishme në këto procese”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Me këtë ligj nuk janë përfshirë edhe këshillat mbikëqyrës ku Qeveria emëron anëtarë, sepse në institucionet e përzgjedhura nuk ka këshilla mbikëqyrëse.
SIGMA: Sekretari i Qeverisë duhet të përfshihet me ligjin
Në debatin publik mbi projekt-ligjin, përfaqësuesit e organizatës për “Mbështetje për Përmirësimin e qeverisjes” SIGMA theksuan se me këto kritere duhet të përfshihet edhe Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë. Ligji nuk do të zbatohet edhe pozitat udhëheqëse në Ministrinë e Punëve të Brendshme, policinë, agjencitë e sigurisë kombëtare dhe Prokurorinë shtetit.
“Sekretari i shtetit i një ministrie të tillë nuk duhet të trajtohet veçmas nga sekretarët e shtetit të ministrive të tjera”, tha Peter Weigl nga SIGMA.
Mbetet e drejta diskrecionare e Qeverisë për të zgjedhur drejtorë
Drejtoresha ekzekutive e Qendrës për Menaxhimin me Ndryshime, Neda Malevska Saçmarovska, thotë se kriteret më të larta të vendosura në këtë mënyrë në pjesën e përzgjedhjes së udhëheqësve duhet të jenë një shembull për sektorët e tjerë dhe veprimtaritë nga fusha e mbrojtjes sociale, arsimit, shëndetësisë, kulturës dhe ndërmarrjeve publike. Por, Malevska thekson se projekt-ligji duhet të përcaktojë kritere për të siguruar pavarësinë e komisionit që do të vendosë se cili kandidat është drejtori më i mirë i mundshëm për një pozitë të caktuar.
“Pyetja kryesore është se si të sigurohet pavarësia e atij komisioni nga ndikimet politike dhe kjo pyetje do të mbetet, ndërsa praktika do të na tregojë nëse do të arrijmë vërtet ta eliminojmë ndikimin të paktën në fazën kur zgjidhen tre kandidatët më kompetentë”, tha ajo.
Saçmarovska shton se pastaj, siç parashikohet në ligj, pas testimit dhe intervistimit të kandidatëve, Qeveria do të ketë të drejtë diskrecionare për të zgjedhur se cili nga tre kandidatët më mirë të ranguar është më i miri.
Davitkovski shton se këtu ka edhe një kurth tjetër kur bëhet fjalë për të drejtën diskrecionare, sepse rangimi do të varet nga intervista.
“Por, ekziston një rrezik tjetër – diskrecioni për të mos bërë një përzgjedhje, gjë që çon deri në përsëritjen e konkursit. Praktika e deritanishme ishte se nëse nuk kalon “kandidati i tyre”, konkursi përsëritet derisa ai t’i përmbushë kërkesat. Është më mirë të duhet të zgjidhet një nga tre kandidatë sesa të anulohet i gjithë konkursi, sepse kjo është një e drejtë më e madhe diskrecionare”, shton ai.
Saçmarovska thekson se deficiti kryesor në sistemin në Maqedoni nuk janë kërkesat ligjore, por mungesa e një procedure transparente dhe meritokratike për përzgjedhje. Sipas saj, pa një testim me shkrim dhe verifikim të rreptë të përvojës në fushën adekuate të kandidatit që dëshiron të jetë drejtor përmes provave, përzgjedhja reduktohet në intervista subjektive që i hapin rrugën ndikimit politik.
Saçmarovska thekson se kthimi i besimit të qytetarëve është i mundur vetëm përmes një procesi në të cilin kandidatët më të mirë do të filtrohen përmes fazave objektive, në mënyrë që vetëm personat profesionistë dhe kompetentë të përfundojnë në përzgjedhjen finale.
Sipas Weigl në propozim-ligj i diskutueshëm do të jetë edhe mandati i drejtorëve të zgjedhur dhe sekretarëve shtetërorë, sepse praktika e mirë ka treguar se mandatet e tyre duhet të jenë të paktën një vit më të gjata se mandati i Qeverisë.
“Ky nuk është rasti me projekt-ligjin aktual, e veçanërisht në rastin e sekretarëve shtetërorë. Postet lidhen drejtpërdrejt me funksionimin dhe, në këtë kuptim, me kushtet e Qeverisë. Kjo nuk siguron funksionimin e duhur profesional dhe të qëndrueshëm të udhëheqësisë së lartë në këto organizata të mëdha. Prandaj, patjetër sugjerojmë që kjo gjë të rishqyrtohet”, tha Weigl.
Certifikata për njohjen e gjuhës angleze nuk është më një kusht
Një nga ndryshimet më mbresëlënëse në këtë projekt-ligj është se hiqet kushti për certifikatat ndërkombëtare për njohjen e gjuhës angleze , të cilat deri më tani ishin një kusht formal për shumë pozicione ekzekutive.
Në vend të kësaj kandidatët do të duhet të “përdorin në mënyrë aktive” një nga tre gjuhët më të përdorura në BE (anglisht, gjermanisht ose frëngjisht).
Sipas praktikës së deritanishme drejtorët e shkollave dhe spitaleve duhet të kenë një certifikatë ndërkombëtare për njohjen e një gjuhe të huaj si pjesë e kritereve për emërim. Nga ana tjetër, me projektligjin për pozitat e larta udhëheqëse, për shembull drejtori i Agjencisë për Rezervat e Detyrueshme ose Agjencia për Emigracionin, duhet që “të përdorë në mënyrë aktive” një nga tre gjuhët më të përdorura në Bashkimin Evropian (anglisht, gjermanisht ose frëngjisht).
Sipas Ministrisë së Administratës, arsyeja për këtë ndryshim në kushtet për drejtorët është natyra e kompetencave dhe fushëveprimi i punës së institucionit konkret.
“Në organet e pavarura rregullatore dhe mbikëqyrëse, siç është Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës, përdorimi aktiv i njërës prej gjuhëve të Bashkimit Evropian lidhet me nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar, pjesëmarrje në rrjetet evropiane dhe monitorim të rregulloreve të BE-së. Nga ana tjetër, për drejtorët e shkollave fillore, kërkesat për njohuri të anglishtes përcaktohen në përputhje me rregulloret arsimore në fuqi dhe lidhen me politikat arsimore, programet ndërkombëtare dhe zhvillimin e sistemit arsimor”, thanë nga atje.
Profesionalizimi i administratës në vend varet nga vullneti politik, ose nga ajo se sa është e përgatitur Qeveria të heqë dorë nga kontrolli mbi zgjidhjet kadrovike në emër të cilësisë. Për sa kohë që rregullat e përzgjedhjes për disa vlejnë, ndërsa për të tjerë mbeten në fuqi “të drejtat diskrecionare”, reforma e administratës mund të jetë vetëm një zgjidhje gjysmake, thonë ekspertët.





