Ligji për arsimin e lartë, ASH: Po krijon padrejtësi të reja dhe po hap rrugë për diskriminim të mëtejshëm ndaj universiteteve shqiptare

Në lidhje me Ligjin për Arsimin e Lartë, Aleanca për Shqiptarët tha se është ligj që i hap rrugë diskriminimit ndaj universiteteve shqiptare dhe shtoi se, ky ligj krijon padrejtësi të reja. Tutje, ASH tha se po kërkojnë barazi dhe drejtësi, që siç theksoi, barazi në gjuhë e financim, drejtësi në punësim.

“Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se barazi e drejtësi.

 

 

Barazi në gjuhë. Diplomat në gjuhën shqipe duhet t’u garantohen studentëve edhe në UKM, UGD dhe në të gjitha universitetet e tjera, ashtu siç garantohen në UT dhe UNT.

Drejtësi në punësim. Universitetet shqiptare vazhdojnë të funksionojnë me një raport pothuajse 50 me 50 mes stafit të rregullt dhe stafit me angazhim të pjesshëm. Me qindra asistentë dhe dhjetëra të doktoruar presin punësim prej 10, 12 e madje edhe më shumë vitesh.

 

 

Barazi në financim. Në vitin 2025, nga 5 milionë euro për projekte, vetëm 2.5% kanë përfunduar te universitetet shqiptare. Kjo nuk është barazi. Kjo është grabitje institucionale.

Propozim-ligji aktual, edhe në versionin e fundit të para dy ditëve, nuk ndryshon asgjë në realitetin e universiteteve shqiptare. Prandaj kërkojmë që ky ligj të tërhiqet menjëherë.

 

 

I bëjmë thirrje të gjithë spektrit politik shqiptar, në pushtet dhe në opozitë, që dora shqiptare të mos bëhet dora që voton dhe legalizon këtë padrejtësi të kamufluar si ligj”, tha ASH.