Ligji e demanton Osmanin: Fotografia e Presidentit vendoset në vend të dukshëm/ballor

Gjatë ditës, ajo ka thënë se nuk e ka larguar nga kabineti i saj fotografinë e presidentit Hashim Thaçi, por vetëm e ka zhvendosur atë.

“Nuk e kam larguar, por vetëm e kam zhvendosur në një vend me se të merituar për presidentin aktual. Unë e njoh mirë legjislacionin dhe nuk ka shkelje kushtetuese sepse nuk përcaktohet aty se në cilin cep të Kuvendit të jetë fotografia, ju do të vini dhe do ta shihni vet”, tha Osmani gjatë një vizite në QKUK.

Mirëpo, në rregulloren e Qeverisë së Kosovës Nr. 19/2011, e cila rrjedh nga Ligji për Protokollin e Shtetit, bëhet e qartë saktësisht se ku duhet të vendoset fotografia e Presidentit të shtetit.

Në nenin 4, pika 3, thuhet se Fotografia në zyre duhet të vendoset në mur në vend të dukshëm apo ballor.

“1. Fotografia duhet të ketë përmasat minimale 40-60cm. 2. Fotografia duhet të jetë e vendosur në kornizë. 3. Fotografia në zyre duhet të vendoset në mur në vend të dukshëm/ballor. 4. Fotografia duhet të vendoset në distancë afërsisht 2 m nga dyshemeja”, thuhet në nenin 4 të kësaj rregullore.

Gjatë ditës ka pasur shumë reagime nga PDK-ja, por edhe analistë politik, të cilët e kanë kritikuar veprimin e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani.