Ligjet për korridoret e kaluan fazën e parë!

Kaloi faza e parë nga miratimi i Ligjeve për korridoret 8 dhe 10D. Opozita kërkoi që ligjet të kthehen në Qeveri, për shkak se, siç tha koordinatori i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, në tekstin e këtyre ligjeve nuk është theksuar harmonizimi i ligjvënies së vendit me atë të BE. Paralajmëroi se deputetët e VMRO-DPMNE-së do të largohen nga seanca për këto ligje, ndërsa i thirri edhe partitë më të vogla por edhe deputetët e tjerë që të bëjnë të njëjtën gjë që të mos ketë kuorum.

“Duhet të theksohen të dhënat nga akti burimor i BE-së me emër të plotë, numër, datë, si dhe deklarata për harmonizim, nënshkrim i ministrit kompetent dhe theksim i qartë i aktit juridik në bazë të cilit kryhet harmonizimi. Këtë nuk e kemi. Tabelat janë të zbrazura. Andaj kërkoj që në përputhje me nenin 136, kryeparlamentari në këtë fazë t’i kthej këto ligje propozuesit për t’i harmonizuar dispozitat”, dekalroi Nikolla Micevski, koordinator i VMRO-DPMNE-së.

Kundër këtyre ligjeve u prononcuan edhe partitë më të vogla politike.

“Qeveria propozon 5 ligje me flamurin europian ndërsa askund nuk e pamë se ka harmonizim të legjislativit vendas, përkatësisht të këtyre ligjeve me ligjvënien e BE-së ose me standardet e BE-së. D.m.th. këtu në mënyrë praktike mbulohen elementet korruptive të marrëveshjes së arritur me Bechtel dhe Enka”, pohoi Pavle Trajanov, Lidhja Demokratike.

Duke i arsyetuar ligjet , nga pushtet thanë se nevoja nga rritja e orarit të punës nuk i shkel të drejtat e punëtorëve, por se miratohet për shkak të nevojës për përfundimin më të shpejtë të projektit.

“Qëllimi i ndryshimit dhe plotësimit të ligjit është që të mundësohet realizim më i shpejtë i ndërtimeve me interes strategjik për ndërtimin e rrugëve shtetërore, hekurudhave, gazsjellësve magjistraleve dhe ndërtimeve të tjera me interes publik që realizohen si projekte strategjike për investim ose projekte me rëndësi strategjike kombëtare, të caktuara me ligj përmes thjeshtësimit të procedurave”, theksoi Bllagoj Boçvarski, ministër për Transport dhe Lidhje.

“Për shkak të nevojës për vazhdueshmëri në punë, puna jashtë orarit të punës mund të zgjasë më shumë se 8 orë në javë dhe 190 orë në vit, pas pajtueshmërisë së dhënë në formë të shkruar nga ana e punëtorit. Po ashtu puna mbi 40 orë në javë do të llogaritet dhe do të paguhet me respektim të dispozitave për pushim ditor dhe javor në pajtueshmëri me këtë ligj”, deklaroi Enver Husein, zëvendësministër për Punë dhe Politikë Sociale.

Pas miratimit të nevojës për sjelljen e ligjeve për korridoret 8 dhe 10D, të njëjtat do të dorëzohen në debat në Komisionin për çështje europiane ku debati zgjat më së shumti 2 ditë, e pastaj kthehen në seancë plenare për miratim./TV21