Lidershipi shqiptar në vitin 2022

Në sytë e lidershipit aktual, Kosova mund të duket shumë e madhe dhe e aftë të bëjë politikë të (pa)varur, por ajo nuk duhet të harrojë se jo çdo veprim i saj duhet “t`i përkulet” ligjshmërisë së institucioneve dhe lidershipit ideologjik, që në thelb të doktrinës mund ta ketë vetëm një fjalë – sakrificën. Shteti nuk ec përpara vetëm me sakrifica, ndërsa politika është zanat (profesion) që nuk zhvillohet dhe mbarëvahet vetëm.

Shkruan: Ardian RAMADANI, Kumanovë

Është e natyrshme që njeriu të jetë optimist… të ëndërrojë më të mirën, më të duhurën për të. E njëjta vlen edhe për shoqëritë dhe kombet.

Kombit shqiptar, si gjithë kombeve të tjerë, nuk duhen t`i veniten shpresat asnjëherë. I gjendur përballë shumë stuhive të kohës, përballë shumë baticave dhe zbaticave, konjukturave të ndryshme, ky komb, i ndarë në disa shtete, hapëroi me shpejtësinë e vet drejt ngritjes dhe zhvillimit, e po hapëron edhe më tej, me gjithë tundimet dhe dyshimet që mund t`i shfaqen apriori….

Krahasuar me para 30 vite më parë, për shembull me vitet 1992, kur Kosova gjendej nën thundrën okupuese, Shqipëria ishte në fazën postkomuniste, e leckosur dhe e zhubravitur, ndërsa shqiptarët në Maqedoni (tashmë “të Veriut”) luftonin për disa të drejta shumë elementare, apo me vitin 2002, kur përveç Shqipërisë që hapëronte më me shpresë, Kosova ishte nën mbikëqyrje ndërkombëtare, ndërsa në Maqedoninë e Veriut dhe në Preshevë posa kishin (kishim) dalë nga konfliktet dhe luftërat dhe përpiqej rivendosja e paqes dhe mirëbesimit, apo me vitin 2012, kur ishim më pak të konsoliduar se tani, sot me plot të drejtë mund të themi se në vitin 2022 gjendemi më të etabluar se më parë, por me sfida dhe rreziqe shumë të mëdha dhe të tjetërllojta, që nëse lidershipi ynë nuk do të dijë t`i llogarisë, do të mund të paguajmë faturë të shtrenjtë.

Njëra nga sfidat dhe vështirësitë e lidershipit aktual është edhe aftësia për të ekuilibruar çështjet, gjegjësisht shmangia e bërjes llogari në të tanishmen me premisat e së kaluarës. Fjala vjen, nuk duhet gjykuar vitin 2022 me standardet e 2012-tës ose të viteve më herët, sepse sot bota është shumë më multipolare. Ose, siç do të thoshte Edgar Moren në librin e tij “Europa në mendje”, bota është një unitas multiplex.

Lidershipi duhet ta sjellë gjithmonë risinë në kohë të caktuar, t`u përshtatet risive, sepse epoka aktuale është epokë e përplasjeve dhe mendimeve të ndryshme, ndërsa shmangia e këtyre gjërave është pranim i humbjes së lirisë dhe nënshtrim intelektual ndaj varfërisë së mendimit.

Shqipëria, aktualisht, me gjithë afirmimin e duhur në skenën ndërkombëtare e rajonale, gjendet përballë përplasjeve dhe polarizimeve ideologjike e partiake, që tani janë shfaqur edhe brenda vet llojit, e që po e gërmojnë jetën politike të këtij shteti dhe kësaj shoqërie. Lidershipit në Tiranë, më shumë se kurrë, i kërkohet të jetë i zhdërvjelltë, të dijë të bëjë lëvizjet e duhura e posaçërisht të shkëputet nga e kaluara.

Kasta politike në Shqipëri, pa marrë parasysh proveniencën ideologjike ose partiake, duhet të fillojnë reformimin e saj, pa ia kërkuar askush këtë, sepse çdo vonesë në reformim është dëm, për të cilin kërkohet kohë të riparohet. Pra, thënë shkurt, Shqipëria dhe elitat politike e intelektuale në atë vend duhet ta fitojnë betejën me vetveten, të shkëputen nga e kaluara (vetëm në Shqipëri ende drejtuesit e partive dhe figurat politike janë ata të epokës së rënies së Murit të Berlinit, kur në çdo shtet europian, po edhe rajonal, figurat e asaj kohe kanë shkuar në pension ose edhe kanë kaluar në amshim). Për kastën politike në Shqipëri, të kuptuarit se politika ka mekanizmat dhe kornizën kohore është domosdoshmëri, arritja e konsensusit dhe minimizimi i konflikteve brenda grupit është më i duhur se kurrë, ndërkaq instalimi i institucionit të dorëheqjes dhe largimit nga despotizmi është vlerë e patjetërsueshme.

Kosova, e cila ia doli më në fund të qeveriset nga një qeveri e popullit, sepse u votua me shumicë, është me e sfiduar se kurrë. Përkundër Shqipërisë, që nuk po stabilizohet për së brendshmi, Kosova, ia ka dalë të gjejë stabilitetin e saj të brendshëm politik, por në arenën ndërkombëtare është duke çaluar, shto këtu edhe sabotimin dhe pengesat që i vijnë nga shteti fqinj i Serbisë dhe militarizimi i saj. Lidershipit në Kosovë, në raport me Serbinë, po duket se i është ndalur ora e historisë aty diku në vitin 1999-2008. Nuk arrij ta kuptoj se si nuk e kundrojnë se politikëbërjen e tyre, pavarësisht se duhet ta bazojnë në politika kombëtariste dhe sovrane, e kanë të domosdoshme ta kenë të koordinuar me shtetet që e krijuan atë, me shtetet aleate që e ndihmuan, sepse Kosova nuk duhet të shtiret se është fuqi e llojit të Izraelit ose Turqisë, që mos t`i honepse ndonjëherë sugjerimet e miqve të saj ndërkombëtarë. Kur në vitin 1789, mbreti Luigji XVI i Francës i tha dukës së tij Roshëfuko se kishte shpërthyer një revoltë, ky i fundit i ishte përgjigjur lartmadhërisë së tij se nuk ishte revoltë, por revolucion, që do ta dërgonte pikërisht Luigjin XVI në fundin e mbretërisë së tij. Në sytë e mbretit ishte një revoltë e thjeshtë, po në sytë e popullit ishte revolucion. Në sytë e lidershipit aktual Kosova mund të duket shumë e madhe dhe e aftë të bëjë politikë të (pa)varur, por ajo nuk duhet të harrojë se jo çdo veprim i saj duhet t`i “përkulet” ligjshmërisë së institucioneve dhe lidershipit ideologjik, që në thelb të doktrinës mund të ketë vetëm një fjalë – sakrificën. Shteti nuk ec përpara vetëm me sakrifica, ndërsa politika është zanat (profesion) që nuk zhvillohet dhe mbarëvahet vetëm. Përshtatja me kohën, rrethanat dhe konjukturën gjeopolitike është tregues se lideri (lidershipi) është i pranueshëm. Madhështia e liderit dhe lidershipit qëndron në të qenit balancues më i mirë dhe më i saktë në raport me aleatët, njohës i realitetit dhe traditës gjeopolitike, e jo në rënien pre në kurthin e enigmave.

Kur jemi në Maqedoninë e Veriut, duhet pranuar se përkundër sfidave të shumta që ekzistojnë në organe të caktuara, e sidomos në gjyqësorin e politizuar, ku ende dergjen burgjeve shumë njerëz të pafajshëm e ku duhet kuruar sa më parë të jetë e mundur këtë fushë, sepse në çdo raport të bashkësisë ndërkombëtare potencohet “luftimi i korrupsionit, krimit dhe sundimi i së drejtës”, elementi shqiptar është etabluar dukshëm më mirë, në krahasim me të kaluarën, sepse në aspektin numerik ia kanë dalë të kapin elemente kyçe të pushtetit. Mbetet të shihet se sa do të ketë guxim, dëshirë dhe vullnet për të jetësuar synimet dhe aspiratat e duhura. Pala maqedonase duket se e ka kuptuar se pushteti i vlerësuar është pushteti i kompromisit dhe përshtatje në shoqërinë njerëzore të shtetit, duke marrë parasysh përbërjen e tij etnike. Ndërkaq zgjerimi i koalicionit dhe shumicës parlamentare do të duhet të dëshmojë se u shërben kërkesave emergjente të qetësisë së nevojshme për progresin e një shteti dhe shoqërisë në të. Në Maqedoninë e Veriut, lidershipi politik duhet ta shmangë veprimin me simbole mitologjike dhe glorifikuese e të fokusohet në shërbimin ndaj qytetarëve, të tregojë dituri, kulturë të vetëpërmbajtjes dhe finesa të bontonit. Liderët politikë në Maqedoninë e Veriut është e rrugës të marrin vendime edhe kur ato janë në kundërshtim me interesat e forcës politike që i ka zgjedhur, sepse shikimi i interesave përtej spektrit miop dhe “mëhallor” është dëshmues i përparimit dhe kulturimit, ndërkaq betejat në të mirën e popullit që përfaqëson nuk janë beteja rrugësh, por institucionesh. Për politikëbërësit, parësore duhet të jetë ajo çka i përshtatet së drejtës e më pas ajo çka është e drejtë. Gjithë kjo për lidershipet tona mbase mund të duket ëndërr dhe e parealizueshme, por gjykoj se është fare e lehtë. Theodor Herzl-i, kur të tjerët talleshin me idetë që i shpaloste, ai u përgjigjej atyre: “Ëndrrat dhe veprat nuk janë aq të ndryshme, siç mendojnë shumë njerëz. Të gjitha veprat janë ëndrra në fillim dhe bëhen ëndrra në fund”.

Mendoj se hapësira(t) shqiptare do të mund të bëhen vorbull i vendimeve të drejta dhe të guximshme, kompatibile me interesat tona dhe të aleatëve tanë, ndërsa lidershipet shqiptare të reflektojnë përparim dhe kulturë për shoqëritë që përfaqësojnë, që të plotësojnë, ashtu siç theksonte edhe Fukuyama, dimensionet deri më tani të munguara të shtetit./SHENJA