Lideri rebel sirian thotë se qëllimi është përmbysja e regjimit të Assadit: Do ta ndërtojmë Sirinë

Synimi i koalicionit të rebelëve të Sirisë është të rrëzojë presidentin Bashal al-Assad, ka thënë Abu Mohammad al-Jolani, udhëheqësi militant i grupit kryesor që drejton forcat opozitare të armatosura.

Në një intervistë për CNN, al-Jolani nuk ka lënë dyshim se synimi i Hayat Tahrir Al-Sham – një grup që u formua nga një ish-degë e al-Qaedas – është t’i japë fund regjimit të Assadit. Në intervistën e parë në disa vite, ai ka folur për planet për të krijuar një qeveri bazuar në institucione dhe një “këshill të zgjedhur nga populli”.

“Kur flasim për synime, qëllimi i revolucionit mbetet përmbysja e këtij regjimi. Është e drejta jonë të përdorim të gjitha mjetet në dispozicion për të arritur këtë qëllim”, ka thënë ai.

Rebelët morën edhe qytetin Hama pas Alepos javën e kaluar. Ofensiva tronditi Assadin dhe mbështetësit e tij në Iran dhe Rusi.

Forcat opozitare të Sirisë janë të decentralizuara dhe të përbëra nga ideologji nga ideologji të ndryshme, megjithëse të bashkuara nga një qëllim i përbashkët për të përmbysur regjimin Assadit.

SHBA-ja, Turqia dhe Kombet e Bashkuara si dhe disa shtete perëndimore vazhdojnë ta përcaktojnë HTS-në si organizatë terroriste, pavarësisht përpjekjeve të grupit për t’u distancuar nga rrënjët e tij – al-Qaeda.

Al-Jolani ka insistuar se civilët nuk kanë pse t’i frikësohen udhëheqjes së re në qytetet e kontrolluara tashmë nga rebelët, e ka dhënë siguri edhe për minoritetet tjera fetare.

“Janë disa shkelje kundër këtyre minoriteteve nga individë përgjatë periudhave të kaosit, por ne kemi adresuar ato çështje. Askush nuk ka të drejtë ta shkatërrojë një grup tjetër. Këto sekte kanë bashkëjetuar në këtë rajon për qindra vjet dhe askush nuk ka të drejtë t’i eliminojë”, ka theksuar ai.

Ai po ashtu ka shprehur se dëshiron që forcat e huaja të largohen nga Siria. Aktualisht ka forca nga SHBA-ja, Turqia, Rusia dhe Irani atje.

“Mendoj se sapo regjimi të bie, kjo çështje do të zgjidhet, dhe nuk do të ketë më nevojë për ndonjë forcë të huaj të mbetet në Siri”.

“Siria ka nevojë për një sistem qeverisës që është institucional, jo për një ku një udhëheqës i vetëm merr vendime arbitrare”, ka shtuar ai.

Regjimi i Assadit ka qenë në pushtet për 53 vjet, që nga viti 1971. Për të mbajtur pushtetin dekada të gjatë, regjimi ka vrarë qindra mijëra njerëz, ka burgosur disidentë dhe me dhunë ka zhvendosur miliona njerëz, jashtë dhe brenda.

“Po flasim për një projekt të madh – po flasim për ndërtimin e Sirisë”, ka deklaruar al-Jolani. “Hayat Tahrir al-Sham është vetëm një pjesë e këtij dialogu dhe ai mund të shpërbëhet në çdo moment. Nuk është një qëllim në vetvete, por një mjet për të kryer një detyrë: përballja me këtë regjim”.