Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, zhvilloi sot një takim me Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shkup, Michalis Rokas, në ambientet e Delegacionit të BE-së në Shkup.
Në fokus të bisedës ishin zhvillimet politike në vend dhe avancimi i perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut. Thaçi theksoi se përshpejtimi i procesit të integrimit në Bashkimin Evropian mbetet prioritet strategjik, duke nënvizuar se çdo vonesë e mëtejshme rrezikon të thellojë pasigurinë politike dhe të dobësojë besimin e qytetarëve në institucione.
Në këtë kontekst, u theksua edhe rëndësia e kultivimit të marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore si një hap i domosdoshëm për zhbllokimin e procesit të negociatave dhe avancimin e rrugës evropiane të vendit.
Gjithashtu, u diskutua nevoja urgjente për forcimin e sundimit të ligjit, si themel i funksionimit demokratik dhe kusht kyç për përparimin drejt Bashkimit Evropian. Në këtë drejtim, u theksua rëndësia e reformave të thella në sistemin e drejtësisë, garantimit të institucioneve të pavarura dhe luftës kundër korrupsionit.
Bashkëbiseduesit vlerësuan se bashkëpunimi i ngushtë me Bashkimin Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë është i domosdoshëm për stabilitetin afatgjatë dhe zhvillimin demokratik të vendit. Thaçi rikonfirmoi angazhimin e PDSH-së për të kontribuar në këtë proces, duke mbështetur politika që forcojnë shtetin ligjor, avancojnë integrimin evropian dhe promovojnë kompromisin si instrument për zgjidhjen e çështjeve të hapura.





