Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez të mërkurën e theksoi edhe një herë kundërshtimin e tij ndaj sulmit mbi Iranin nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, duke paralajmëruar se konflikti rrezikon të shkaktojë një katastrofë të madhe globale.
Sánchez reagoi pasi presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi se do të ndërpresë marrëdhëniet tregtare me Madridin për shkak të qëndrimit të tij mbi konfliktin dhe refuzimit për të lejuar avionët amerikanë të përdorin bazat detare dhe ajrore të operuara së bashku në jug të Spanjës për ofensivën kundër Teheranit.
“Nuk do të bëhemi bashkëfajtorë në diçka që është e dëmshme për botën, as në kundërshtim me vlerat dhe interesat tona, thjesht për të shmangur hakmarrjen e dikujt”, tha Sánchez në një fjalim televiziv drejtuar kombit, përcjell A2 CNN.
Sánchez, një nga kritikët më të zëshëm të Trumpit dhe të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, tha se qeveritë ekzistojnë për të përmirësuar jetën e njerëzve dhe sulmoi udhëheqësit që “përdorin mjegullën e luftës për të fshehur dështimet e tyre” në vend. “Kështu fillojnë katastrofat e mëdha të njerëzimit… Nuk mund të luani ruletë ruse me fatin e miliona njerëzve”, u shpreh ai.

Tensionet mes dy aleatëve të NATO-s janë rritur pasi Sánchez i cilësoi bombardimet amerikane dhe izraelite ndaj Iranit si të pamatura dhe të paligjshme, ndërsa shumica e vendeve të tjera europiane kanë shmangur kritikat e drejtpërdrejta. Izraeli gjithashtu ka kritikuar Sánchez-in, duke e akuzuar se “qëndron me tiranët” në Iran dhe Palestinë.
Spanja deri tani ka shmangur përfshirjen në operacione mbrojtëse, ndërkohë që Britania, Franca dhe Greqia kanë dërguar armatime në Qipro, e cila u godit nga një dron të hënën, dhe kryeministri britanik Keir Starmer autorizoi përdorimin e bazave britanike për goditje mbrojtëse ndaj Teheranit.
Sánchez theksoi se bota nuk mund t’i zgjidhë problemet me konflikte dhe bomba. “Qëndrimi i qeverisë spanjolle mund të përmblidhet në katër fjalë: ‘Jo luftës’,” tha ai, duke shtuar se ky qëndrim nuk është naiv, por koherent.
Ai përmendi pasojat negative të luftës në Irak, nga rritja e terrorizmit xhihadist deri te rritja e çmimeve të energjisë, për të argumentuar se pasojat e sulmit ndaj Iranit janë po aq të paqarta dhe se ai nuk do të çojë drejt një rendi ndërkombëtar më të drejtë. (A2 Televizion)



