Liderët e Kosovës mirëpresin vendimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës

Liderët e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, e kanë mirëpritur të martën vendimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për t’i dhënë dritën jeshile anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

Me 131 vota për, 29 kundër dhe 11 abstenime, Asambleja Parlamentare e mbështeti anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës gjatë një seance plenare të martën në Strasburg.

Tani do të jetë në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht në maj, nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.

“Sot Kosova shënoi një moment historik në rrugëtimin e saj evropian”, shkroi presidentja Osmani në Facebook.

Ajo theksoi se votimi i sotëm në Asamblenë Parlamentare “është një dëshmi e përkushtimit tonë për drejtësi, barazi dhe për parimet themelore të demokracisë”.

“Falënderim nga zemra të gjithë atyre që nëpërmjet votës për mbështetën të gjithë qytetarët e Kosovës dhe kauzën tonë për të drejta të njeriut. Urime Kosovës dhe të gjithëve që kanë kontribuar në këtë arritje historik”, shtoi ajo.

Kryeministri Kurti, ndërkohë, shprehu optimizëm se ministrat e Jashtëm të Këshillit të Evropës do ta pranojnë Kosovën në folenë e tij gjatë një takimi që do ta mbajnë në maj.

“Meqenëse që nga viti 1951, Komiteti i Ministrave nuk ka marrë vendim ndryshe nga Opinioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, besojmë që edhe faza e ardhshme do të përmbyllet me sukses. Megjithatë, puna jonë do të vazhdojë”, shkroi Kurti në Facebook.

Ai nënvizoi se nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës “fiton demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut”.

“E me Kosovën aty, Këshilli i Evropës fiton një demokraci të re e të gjallë, ku sundon ligji e respektohen të drejtat e njeriut”, shtoi ai.

Serbia e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë dhe ajo bëri përpjekje të mëdha por të pasuksesshme gjatë seancës së Asamblesë Parlamentare. Një sërë amendamentesh të propozuara nga ajo, u kundërshtuan nga shumica e deputetëve.

Këshilli i Evropës është organizatë lidere në Evropë në fushën e të drejtave të njeriut.

Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut – me seli në Strasburg, Francë – bën monitorimin e zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut./REL