Liderët e Ballkanit Perëndimor pritet të takohen në Bruksel

Udhëheqësit politikë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor sot pritet të takohen në Bruksel.

Së bashku me Presidentin e Këshillit Europian Charles Michel, Presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, Kryeministrin kroat Andrej Plenkoviq, dhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së Joseph Borrell, ata do të zhvillojnë një takim të parë joformal për t’u përgatitur për samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor që do të zhvillohet në Zagreb në muajin maj të këtij viti.

Raportohet se të nesërmen (e hënë 17 shkurt, 2020) gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor do të takohen sërish në Bruksel për Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve për Shqipërinë, e cila zhvillohet në hapësirat e Komisionit Europian.

Qëllimi i konferencës është mbështetja e përpjekjeve të rindërtimit në Shqipëri pas tërmetit që goditi vendin në nëntor të vitit të kaluar.