Liderët botërorë mirëpresin marrëveshjen për fazën e parë të planit të Trumpit për Gazën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të mërkurën vonë se Izraeli dhe Hamasi e arritën marrëveshjen e shumëkërkuar për armëpushim në Gazë dhe për lirimin e pengjeve, sipas planit të tij për t’i dhënë fund luftës dyvjeçare në enklavën palestineze.

Hamasi është grup palestinez i shpallur terrorist nga SHBA dhe vende të tjera.

Më poshtë mund t’i lexoni reagimet e udhëheqësve nga e gjithë bota ndaj këtij zhvillimi:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

“Një moment përcaktues për paqen. Paqe që është e urgjente. Paqe që ka vonuar shumë”, shkroi Osmani në X.

“Presidenti Donald Trump dhe administrata e tij kanë treguar udhëheqje dhe përkushtim të vërtetë për të sjellë paqe të qëndrueshme si për izraelitët, ashtu edhe për palestinezët, si dhe një përkushtim të palodhur për t’i dhënë fund vuajtjeve që breza të tërë njerëzish të pafajshëm kanë përjetuar”.

“Mirënjohja jonë shkon gjithashtu për ndërmjetësuesit nga Katari, Egjipti dhe Turqia për përkushtimin e tyre të vazhdueshëm ndaj paqes dhe për rolin e tyre thelbësor në realizimin e këtij përparimi historik”.

Kryeministri australian, Anthony Albanese

“Australia mirëpret njoftimin e presidentit Trump se Izraeli dhe Hamasi kanë nënshkruar fazën e parë të planit për të sjellë paqe në Gazë”, tha Albanese në një deklaratë të përbashkët me ministren e Jashtme, Penny Wong.

“Pas më shumë se dy vjetësh konflikti, me pengje të mbajtura dhe humbje shkatërruese të jetëve civile, ky është një hap shumë i nevojshëm drejt paqes. Australia ka qenë vazhdimisht pjesë e thirrjeve ndërkombëtare për armëpushim, kthimin e pengjeve dhe lejimin e papenguar të ndihmës humanitare në Gazë. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve t’i respektojnë kushtet e planit”.

“Australia mbështet fuqimisht angazhimin e planit për t’ia mohuar Hamasit çdo rol në qeverisjen e ardhshme të Gazës. Së bashku me partnerët tanë, Australia do të vazhdojë të kontribuojë për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme me dy shtete.”

Kryeministri britanik, Keir Starmer

“E mirëpres lajmin se është arritur një marrëveshje për fazën e parë të planit të paqes së presidentit Trump për Gazën”, tha Starmer në një deklaratë.

“Ky është moment lehtësimi i thellë që do të ndihet në mbarë botën, veçanërisht për pengjet, familjet e tyre dhe popullsinë civile të Gazës, që kanë përjetuar vuajtje të paimagjinueshme gjatë dy vjetëve të fundit”.

“Kjo marrëveshje tani duhet të zbatohet plotësisht, pa vonesë, dhe të shoqërohet me heqjen e menjëhershme të të gjitha kufizimeve për ndihmën humanitare që shpëton jetë në Gazë”.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përmbushin angazhimet që kanë marrë, të përfundojnë luftën dhe të ndërtojnë themelet për një fund të drejtë dhe të qëndrueshëm të konfliktit dhe një rrugë të qëndrueshme drejt paqes afatgjatë”.

Kanadaja

“Kanadaja mirëpret marrëveshjen e Izraelit dhe Hamasit për të zbatuar fazën e parë të planit të paqes të propozuar nga presidenti Trump dhe të ndërmjetësuar nga Katari, Egjipti dhe Turqia”, thuhet në një deklaratë të Global Affairs Canada, e cila merret me marrëdhëniet diplomatike dhe konsullore të vendit.

“Pas dy vjetëve të gjata, pengjet do të ribashkohen më në fund me familjet e tyre, dhe trupat izraelite do të tërhiqen përtej vijave të dakorduara. Ndihma e menjëhershme dhe e papenguar humanitare duhet t’u ofrohet shumë njerëzve në nevojë të madhe në gjithë Gazën”.

“Kanadaja do të mbështesë çdo përpjekje për ta kthyer këtë hap pozitiv në paqe të qëndrueshme për izraelitët dhe palestinezët”.

Presidenti amerikan, Donald Trump

“Jam shumë krenar të njoftoj se Izraeli dhe Hamasi e kanë nënshkruar fazën e parë të Planit tonë të Paqes”, tha Trump në Truth Social.

“Kjo do të thotë se të gjitha pengjet do të lirohen shumë shpejt, dhe Izraeli do t’i tërheqë trupat e tij në një vijë të dakorduar si hapi i parë drejt një Paqeje të Fortë, të Qëndrueshme dhe të Përjetshme”.

“Të gjitha palët do të trajtohen me drejtësi! Kjo është një ditë e madhe për botën arabe dhe myslimane, Izraelin, të gjitha kombet fqinje dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ne falënderojmë ndërmjetësit nga Katari, Egjipti dhe Turqia, që punuan me ne për ta bërë këtë ngjarje historike dhe të paprecedentë të ndodhë. Të bekuar qofshin paqebërësit!”

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu

“Një ditë e madhe për Izraelin”, tha Netanyahu në një deklaratë.

“Nesër do të mbledh Qeverinë për të miratuar marrëveshjen dhe për t’i sjellë në shtëpi të gjitha pengjet tona të dashura. Falënderoj ushtarët heroikë të IDF-së dhe të gjitha forcat e sigurisë; falë guximit dhe sakrificës së tyre, kemi arritur këtë ditë”.

“Falënderoj nga zemra presidentin Trump dhe ekipin e tij për përkushtimin e tyre ndaj kësaj misioni të shenjtë për lirimin e pengjeve tona”.

“Me ndihmën e Zotit, së bashku do të vazhdojmë të arrijmë të gjitha objektivat tona dhe të zgjerojmë paqen me fqinjët tanë”.

Lëvizja e Qëndresës Islamike (HAMAS)

“Ne vlerësojmë shumë përpjekjet e vëllezërve tanë dhe ndërmjetësve në Katar, Egjipt dhe Turqi, dhe gjithashtu çmojmë përpjekjet e presidentit të SHBA, Donald Trump, të synuara për t’i dhënë fund luftës plotësisht dhe për të arritur tërheqjen e plotë të okupatorit nga Rripi i Gazës”, tha Hamasi në një deklaratë.

“Ne i bëjmë thirrje presidentit Trump, shteteve garantuese të marrëveshjes dhe të gjitha palëve arabe, islame dhe ndërkombëtare të detyrojnë qeverinë okupatore të zbatojë plotësisht detyrimet e saj sipas marrëveshjes dhe të mos lejojnë shmangien apo vonesën e zbatimit të asaj që është rënë dakord”.

“Ne përshëndesim popullin tonë të madh në Rripin e Gazës, në Jerusalem dhe Bregun Perëndimor, dhe në mbarë atdheun dhe diasporën, që kanë treguar nder, guxim dhe heroizëm të pashoq, duke u përballur me projektet fashiste të okupimit që i kanë synuar ata dhe të drejtat e tyre kombëtare. Këto sakrifica dhe qëndrime të palëkundura kanë penguar planet e Izraelit për nënshtrim dhe zhvendosje”.

“Ne theksojmë se sakrificat e popullit tonë nuk do të jenë të kota, dhe se do të mbetemi besnikë ndaj premtimit tonë; për të mos braktisur kurrë të drejtat kombëtare të popullit tonë deri në arritjen e lirisë, pavarësisë dhe vetëvendosjes”.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres

“E mirëpres njoftimin për një marrëveshje për sigurimin e një armëpushimi dhe lirimin e pengjeve në Gaza, bazuar në propozimin e paraqitur nga presidenti Donald J. Trump. Vlerësoj përpjekjet diplomatike të Shteteve të Bashkuara, Katarit, Egjiptit dhe Turqisë në ndërmjetësimin e këtij përparimi jetik”, tha Guterres në një deklaratë.

“U bëj thirrje të gjitha palëve të respektojnë plotësisht kushtet e marrëveshjes. Të gjithë pengjet duhet të lirohen me dinjitet. Duhet të sigurohet një armëpushim i përhershëm. Luftimet duhet të ndalen njëherë e përgjithmonë. Duhet të garantohet hyrja e menjëhershme dhe pa pengesa e ndihmave humanitare dhe e mallrave thelbësore tregtare në Gazë. Vuajtjet duhet të ndalen”.

“Kombet e Bashkuara do të mbështesin zbatimin e plotë të marrëveshjes dhe do të rrisin dërgimin e ndihmave humanitare të qëndrueshme e me parime, si dhe do të avancojnë përpjekjet për rimëkëmbje dhe rindërtim në Gazë”.

“U bëj thirrje të gjithë aktorëve të përfitojnë nga kjo mundësi historike për të vendosur një rrugë të besueshme politike drejt përfundimit të okupimit, njohjes të së drejtës së popullit palestinez për vetëvendosje dhe arritjes së një zgjidhjeje me dy shtete që u mundëson izraelitëve dhe palestinezëve të jetojnë në paqe dhe siguri”./REL