Liderë dhe zyrtarë të lartë qeveritarë, përfshirë kancelaren gjermane, Angela Merkel, presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, presidentin rus Vladimir Putin, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministrin britanik Boris Johnson do të mblidhen sot në Gjermani në një përpjekje për arritjen e një armëpushimi të qëndrueshëm në Libi dhe hapjen e rrugës për zgjidhje politike.
Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres do të bashkëkryesojnë Konferencën e Berlinit, që synon një angazhim më të fortë nga fuqitë botërore dhe aktorët rajonalë për mosndërhyrjen në Libi dhe për të mbështetur armëpushimin dhe embargon e armëve të OKB-së.
Presidenti turk Erdogan, i cili ndërmjetësoi përpjekjen e armëpushimit fundjavën e kaluar së bashku me homologun rus Putin, i ka kërkuar bashkësisë ndërkombëtare që të marrë më shumë përgjegjësi për t’i dhënë fund dhunës në vend.
“Bota nuk ka bërë sa duhet për të mbështetur aktorët pro diplomacisë dhe pro dialogut në Libi”, tha Erdogan në një artikull për ”Politico”.
Qeveria e njohur ndërkombtarisht e Libisë në Tripoli është sulmuar nga komandanti i forcave jolegjitime, Khalifa Haftar që nga prilli i vitit të kaluar.
“Turqia mbështet plotësisht qeverinë legjitime të Libisë të njohur nga OKB”, theksoi Erdogan përpara konferencës dhe kritikoi Egjiptin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) për mbështetjen e tyre për forcat e Haftarit, të cilat, siç tha ai, “përpiqen të kryejnë një grusht shteti në vend”.
Gjermania ftoi udhëheqësit e dhjetëra shteteve, përfshirë anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, fuqitë rajonale dhe disa nga vendet fqinje në konferencë.
Erdogan dhe Putin tashmë kanë njoftuar se do të marrin pjesë në konferencë në Berlin.
Presidenti Francez Macron, kryeministri britanik Johnson dhe kryeministri Italian Giuseppe Conte gjithashtu kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.
Qeveria gjermane njoftoi gjithashtu se kryeministri i Libisë Fayez al-Sarraj dhe komandanti me qendër në Tobruk, Haftar, kanë pranuar ftesën për konferencë.
Administrata e SHBA-së konfirmoi se sekretari i Shtetit, Mike Pompeo do të marrë pjesë në Konferencën e Berlinit.
Zyrtarë të lartë nga Egjipti dhe EBA, që kryesisht mbështetësit komandantin e forcave jolegjitime Haftar, gjithashtu do të marrin pjesë në konferencë.
Të ftuar janë edhe presidenti i Algjerisë Abdelmadjid Tebboune dhe presidenti i Republikës së Kongos Denis Sassou Nguesso, i cili kryeson Komitetin e Nivelit të Lartë të Unionit Afrikan për Libinë.