Libri “Udhëtimi i djaloshit Najdi” si një urë letrare midis Arabisë Saudite dhe lexuesit shqiptar

Nga Jerina Zaloshnja

I pari roman saudit në gjuhën shqipe

Botimi shqip i librit “Udhëtimi i djaloshit Najdi” (Tirana Times, 2025), duket se shënon një
hap të rëndësishëm në historinë e kulturës mes dy vendeve Arabisë Saudite e Shqipërisë: ai është vepra e parë e letërsisë saudite të përkthyer në shqip. Ky botim vjen prej
bashkëpunimit mes Kalemat Agency-t në Riad dhe shtëpisë botuese Tirana Times. Ai i
prezanton lexuesit shqiptar rrëfimin e një prej shkrimtarëve më të njohur sauditë Yousef Al-Mohaimeed.

Përmes një subjekti të thjeshtë, – aventurës së Salehut, një djaloshi të vogël nga Najdi që
braktis fshatin e tij dhe udhëton me qëllimin për të qartësuar kuptimin e një ëndrre e cila i
shfaqet natë pas nate e s’e le rehat, – romani çel një dritare të vogël, të panjohur e tepër
tërheqëse mbi mitologjinë beduine, spiritualitetin islam dhe etnografinë arabe, tema që, me
sa dimë, rrallë janë trajtuar në librin shqip. Për këtë arsye, për shkak të kësaj dritareje pak të njohur për lexuesin shqiptar, subjekti i thjeshtë në dukje është, në fakt, i ndërlikuar si
nëntekst.

Cila është ngjarja?

Salehu, djalë e ri e bir i një këpucari, dridhet e rrënqethet sa herë që fëndyelli i babait,
(gjëlpëra e trashë me të cilën i ati qep lëkurët e kafshëve për t’i shndërruar ato në këpucë)
çan lëkurën e rregjur të kafshëve. Është një rrënqethje që Salehut i zgjat natë e ditë, pasi i
ati vetëm këtë punë di të bëjë: të nxjerrë këpucë nga lëkurët e rregjura të kafshëve. Me
ç’duket, i veleritur nga kjo pamje, djaloshi jo vetëm që kundërshton të trashëgojë zanatin e
të atit, por shqetësohet aq shumë sa i turbullohet edhe gjumi i natës. Tre net me radhë atij i fanepset e njëjta ëndërr, në fakt pa shumë kuptim, e cila i sjell një gjëndje ankthi
dëshpërues.

Në këtë ëndërr Salehu i ri, në vënd të ecë më këmbë si gjithë njerëzit, fluturon si zog përmbi pemë, çati, pullaze, fshatra, madje edhe qytete dhe, kur pas një hopi si të gjithë fluturakët lodhet dhe ai; zbret nga qielli për t’u çlodhur e bie jo përdhe, por pikërisht mbi një kafshë të therur.

Kështu, nga qielli e nga përmbi retë, në këtë çlodhje tokësore për pak, Salehu i ri e
gjen veten të zhytur në një vorbull jashtëqitjesh e gjaku të kësaj kafshe të therrur. Aty, midis frikës por dhe magjepsjes, i shfaqet një plak veshur me mantel gri i cili i jep Salehut një këshillë enigmatike: “Udhëto, pa të kuptosh”, i thotë plaku, – në udhëtim do të gjesh
kuptimin e ëndrës që të shqetëson. Pa e bërë të gjatë, djaloshi i le të gjitha (shtëpinë,
familjen, shokët fshatin) dhe niset të kuptojë.

Nga shkretëtirat e Najdit në portet e Omanit, prej pyjeve të Karnatakës deri te lagjet e
Bombeit, çdo ndalesë i fal djaloshit të ri një copëz përgjigjeje që e çon më thellë në kërkim
të vetvetes. Historia përmbyllet në një kthim ciklik nga motivi homerik i “nostos” ku kuptimi i vërtetë i ëndrrës i shfaqet sërish atje ku nisi rrugëtimi.

Vepra si mozaik simbolesh

Është e qartë se kjo vepër e Yousef Al-Mohaimeed përmban simbole, të cilat ashtu si gurët e një mozaiku ngjajnë thjesht gurë pa ndonjë kuptim kur i sheh veç e veç, por enigma zgjidhet sapoqë autori i përmbledh të gjithë bashkë. Ja disa prej simboleve të përdorura në këtë vepër.

Së pari, përdorimi i ëndrrës si një motor narrativ. Romani fuqizon traditën arabe të ru'ya-s
(shpalljes nëpërmjet ëndrrës) duke e kthyer imazhin e kufomës dhe jashtëqitjes së kafshës
në metaforë për thesarin e fshehur: pasuri shpirtërore e materiale që kërkon guxim e
sakrificë.

Së dyti, përdorimi i dualitetit qytet/shkretëtirë. Lëvizja, udhëtimi i personazhit kryesor nga
Najdi, një fshat asketik për në Indinë polifonike i jep ngjyrën orientaliste veprës, por
njëkohësisht sfidon stereotipet: Në këtë vepër India shfaqet jo si “Tokë tjetër” ekzotike, por
si pasqyrë ku Salehu, mëson humanizmin (plaku i lumit që “shlyen” mëkatin ndaj peshqve).

E fundit, motivi i këpucës. Dy këpucët prej argjendi lidhen me nocionin profetik të
“sandaleve të udhëtimit”: njëra jepet, falet, tjetra merret përmes rrezikut. Të dy sandalet
rrinë bashkë vetëm kur protagonisti kalon provën e vdekjes (nepërka helmuese).

Gjuhë e stil

Kritika vendase i la lavdëruar Al-Mohaimeed-it prozën lirike me fjali të zgjatura, ritmin
poetik dhe imazhet e dendura. Përkthimi i veprës në shqip është përpjekur të respektojë
pikërisht këtë kadencë; të ruajë frymëmarrjen orientale pa e ngrirë sintaksën shqipe.
Zgjedhja e disa fjalëve të huaja (thobë, sheh, Bajram) përpiqet t’i japë tekstualitet e
autenticitet librit; ndërsa fusnotat e shkurtra shmangin shterimin akademik. Përpjekja ka
qënë gjithashtu edhe për t’i sjellë dialogjet sa më natyralë (sidomos në skenat ku Salehu
diskuton me nënën apo debaton me peshkatarin hindu).

Me një rrjedhshmëri befasuese, natyrshmëri, por edhe me pakëz frymë magjie e fantastike
brënda; me të papritura jo gjithmonë të këndshme, “Udhëtimi i Djaloshit Najd” ngjan, në
fakt, si një rrëfim rrëmbyes për guximtaret, ëndërrimtarët dhe ata lexues që, sikundër
personazhi i këtij libri, janë në kërkim të kuptimit të jetës. Përtej narrativave klanore, apo
polemikave morale që shpesh i atribuohen prozës saudite, autori fokusohet në formimin
personal, në universalitetin e ëndrrës dhe në pyetjen ekzistenciale “kush jam unë?”
Pra, Kush jam?

“Udhëtimi i djaloshit Najd” e jep një përgjigje.