Lëvizja Besa shënon 11-vjetorin, Kasami: Besa e dhënë, ndryshimi i bërë

Lëvizja Besa sot shënon 11-vjetorin e themelimit, ndërsa kryetari i saj Bilall Kasami thotë se vetëm popujt që bashkohen rreth idealit dhe punës arrijnë t’i ndryshojnë epokat e tyre, duke kujtuar edhe 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit Shqip.

Kasami duke kujtuar këto data të rëndësishme, thotë se besa që e kanë dhënë para 11 viteve po realizohet.

“BESA që dhamë para 11 viteve si një betim për ndryshim, dinjitet dhe përfaqësim politik; sot, pas më shumë një dekade përpjekjesh po realizohet. Po ndërtojmë institucione më të ndershme, politika më të përgjegjshme dhe një vizion të ri për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut”, ka shkruar Kasami.

“11 vite më parë nisëm një rrugëtim që nuk ishte as i lehtë, as i sigurt, por ishte i domosdoshëm. Vendosëm në lëvizje një organizatë politike që u mbështet mbi besën autoktone, autentike dhe autonome të këtij populli, besën se shqiptarët në këtë vend meritojnë më shumë, mund të bëjnë më shumë dhe mund të bashkohen për ndryshimin që e kërkon koha.
Sot, në 11-vjetorin e këtij rrugëtimi dhe në 117-vjetorin e Kongresit të Manastirit, simbolit të bashkimit dhe rilindjes, ne kujtojmë një të vërtetë të madhe: vetëm popujt që bashkohen rreth idealit dhe punës arrijnë t’i ndryshojnë epokat e tyre. Dhe pikërisht këtë ka bërë Lëvizja BESA”.

“BESA që dhamë para 11 viteve si një betim për ndryshim, dinjitet dhe përfaqësim politik; sot, pas më shumë një dekade përpjekjesh po realizohet. Po ndërtojmë institucione më të ndershme, politika më të përgjegjshme dhe një vizion të ri për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Ashtu si Kongresi i Manastirit bashkoi kombin rreth alfabetit, ne sot, si pjesë e koalicionit VLEN, po bashkojmë qytetarët rreth një projekti që frymëzohet nga e kaluara, vepron në të tashmen dhe ndërton të ardhmen”, ka shkruar Kasami për përvjetorin e Lëvizjes Besa.