Lëvizja Besa me marsh nëpër Tetovë, Kasami porositi se ndryshimet duhet të bëhen realitet

Lëvizja Besa organizoi marsh nëpër Tetovë të cilin e kryesoi kandidati për kryetar të komunës Bilall Kasami së bashku me përfaqësuesit e Aleancës për Shqiptarët. Marshi filloi nga selia e partisë Lëvizja Besa dhe përfundoi në sheshin e qytetit.

“Ky është marsh fitues i cili na bashkon të gjithëve pa dallim të përkatësisë partiake, etnike, fetare e të tjera. Me këtë aktivitet përfundojmë aktivitetet dy javore për rrethin e dytë zgjedhor që tregoi se kemi ofertën më serioze për dallim nga udhëheqja aktuale e dështuar e Komunës së Tetovës e udhëhequr nga Teuta Arifi”, theksoi Kasami.

Ai shtoi se programi dhe përpjekjet për ndryshimin e Teutës janë të pranuara nga qytetarët e Tetovës, të cilët më së miri dinë të bëjnë ndryshime.

“Si epilog i tërë veprimtarisë sonë, u krijua një konkluzion i përbashkët se në Tetovë ndryshimet duhet të bëhen realitet sepse Tetova dhe tetovarët kërkojnë ndryshime. Prandaj po marshojmë për fitore sepse Tetova bashkon”, thotë Bilall Kasami.

Ai potencoi se shtrirja e tyre bazohet në parimet e qeverisjes së mirë dhe zhvillimit të qëndrueshëm komunal me qëllim të arritjes së disa qëllimeve strategjike.

Gjatë marshit Kasami u përshëndet me qytetarët dhe u bëri thirrje që të votojnë të dielën, pavarësisht përkatësisë.

Midis përfaqësuesve të Aleancës për Shqiptarët ishte Vullnet Murseli i cili ishte kandidat për kryetar komune në rrethin e parë dhe këshilltarët nga të dyja partitë.