Lënia anash e fëmijëve nga komuniteti RAE, drejtori i Arsimit në Pejë: Nxënësit nuk ishin të asaj klase

Drejtori i Arsimit në Pejë, Naser Gega është deklaruar në lidhje me rastin e djeshëm, ku disa prej nxënësve të cilit i takonin komunitetit RAE, ishin lënë anash në organizimin e Festës së Abetares në shkollën “Xhemajl Kada”, në Pejë.

Gega tha për Telegrafin se këta nxënës nuk ishin të asaj klase, dhe të njëjtit kishin shkuar në mënyrë vullnetare për ta shikuar programin.

Tutje ai deklaroi se ata kishin të drejtën e vendosjes ku të dëshironin sikur të gjithë nxënësit e tjerë , në sallën e palestrës sportive, ku edhe ishte organizuar festa.

“Jo ata nuk kanë qenë nxënës së klasës e cila e ka organizuar Festën e Abetares, ata ishin si të gjithë nxënësit e tjerë të shkollës të cilët kanë ardh për ta shikuar programin. Edhe ata si të gjithë nxënësit e tjerë kishin lirinë e vendosjes bash ku të dëshironin në palestrën sportive ku është organizuar festa. Ngjarja është keqkuptuar nga mediat sepse ata kanë ardh prej vullnetit të mirë, iu ka thënë mësuesja ejani me e pa nëse doni programin dhe kanë ardh. Ata janë vendos në një kënd ku ua ka marr mendja atyre”, tha ai.

Ndryshe, një ditë më parë u raportua në media një rast në shkollën “Xhemajl Kada” në Pejë, ku disa fëmijë nga komuniteti RAE janë lënë anash në Festën e Abetares.

Lidhur me këtë ka reaguar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, Këshilli i Prindërve të Kosovës, etj.