Lëndët e PSP-së në PTHP, drejt përfundimit

Po përfundojnë hetimet e Prokurorisë Speciale (PSP) të cilat i mori nën kompetencë Prokuroria Publike (PTHP). Përveç rastit “I pushtetshmi”, Alsat mëson se kah fundi është edhe hetimi për rastin “Banka postare”. Prokuroria është në pritje ekspertizës së fundit, kështu që në mënyrë shtesë do t’i ftojë në pyetje disa nga nëntë të dyshuarit, mes tyre edhe biznesmenë që kanë dëshmuar në rastin “Reket”, që akuzohen për zhvatjen e pesë milion eurove. Sipas informacioneve të Alsat, Prokuroria për disa ditë do të ngrejë padi për rastin “I pushtetshmi” dhe për të gjithë 13 të dyshuarit do të kërkojë gjykim. I dyshuari i parë Antonio Milloshoski, babai i tij dhe ish kryetari i komunës së Makedonski Brodit prej nesër do të duhet të shkojnë në prokurori. Ata do të dëshmojnë dhe do t’i shqyrtojnë provat. Jozyrtarisht, para përfundimit janë hetimet “Regjistrimi”, “Aktori” dhe “Drumarina”. Kreu i BDI-së Ali Ahmeti dhe ish kryeministri Nikolla Gruevski dyshohen për regjistrimin e dështuar të vitit 2011, ndërsa për ndërtimin e autostradës Demir Kapi-Smokvicë ndër të dyshuarit janë Gruevski dhe ish ministri i transportit Mile Janakiski, ndërsa ish-deputetja Silvana Boneva dyshohet për kompensimet rrugore me llogari të rreme fiskale. Pas përfundimit të këtyre hetimeve, prokuroria duhet të vlerësojë nëse për këto raste do të kërkojë gjykim. Në hetimet e PSP-së ka më shumë se 100 të dyshuar, përfshirë zyrtarë të mëparshëm dhe ato aktual. Në rastin “Pacienti” në mesin e 15 të dyshuarve është edhe ish ministrin e shëndetësisë dhe zëvendëskryeministri i tanishëm Bujar Osmani, ndërsa në hetimin “Rengen” dyshohet pasardhësi i Osmanit në shëndetësi, Nikolla Todorov. Prokuroria nuk zbulon se cilat hetime kanë përfunduar.

Për lëndët që ju interesojnë, prokurorët publik që janë përgjegjës për çështjet po i trajtojnë ato dhe për momentin nuk mund të jepen detaje. Pas analize të veprimeve të ndërmarra deri më tani, do të merret një vendim i merituar i prokurorit publik për rrjedhën e mëtutjeshme të procedurës – njoftojnë nga Prokuroria.

Juristët thonë se ekziston rreziku që veprat penale në hetimet e PSP-së të vjetërsohen.

Në këto raste, shumica e hetimeve që janë ngritur udhëhiqen sipas nenit 353 të Kodit Penal, përkatësisht shpërdorimin e detyrës zyrtare. Megjithatë, kjo është nga një grup anëtarësh ku politika penale nuk është aq e njëtrajtshme, kështu që diferencat në gjobat nga një nen në tjetrin ndryshojnë nga një dënim minimal prej tre vjetësh deri në maksimum 15 vjet burg, dhe kjo ka një efekt shumë të madh në vjetërsimin e rasteve e cila është e lidhur me dënimin maksimal të veprës penale – deklaroi Darko Avramovski, Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”.

Këto hetime u ngritën nga PSP-ja pas qershorit të vitit 2017 kur, sipas ligjit, mandati i prokurorisë kishte skaduar. Sipas mendimit të Gjykatës Supreme me të cilin të gjitha hetimet për mandatin e PSP-së ishin ngrirë. Me Ligjin për Prokurori Publike u hap mundësia që këto raste të vazhdojnë të trajtohen nga prokurorët e PSP-së, të cilët duhet të kalojnë në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Në gjykatë për këto lëndë nuk do të mund të përdoren si dëshmi materialet e përgjuara.