LEN: Masat anti-krizë të Qeverisë, për të blerë vota me para shtetërore (Video)

Opozita shqiptare vlerëson se masat antikrizë të pushtetit janë blerje e votave të qytetarëve të kategorive më të prekura. Sipas tyre, nuk është e rastësishme që pakoja do të vlejë deri në maj të vitit të ardhshëm. Nga Lidhja Evropiane për Ndryshim kritikojnë edhe buxhetin e vitit të ardhshëm, duke thënë se mjetet janë shkurtuar në sektorët ku ka më shumë probleme. Ata përgatisin amendamente për propozim buxhetin.

“Vetë korniza kohore e masave d.m.th. deri në zgjedhjet e muajit maj tregon qëllimin djallëzor të këtij vendimi, blerje flagrante e votave me resurse shtetërore. Këto masa antikrizë janë kopje e zbehtë e masave që qeveria e Vuçiqit i ndërmori kohë më parë në Serbi. Kategoritë më të prekura ku bëjnë pjesë shfrytëzuesit e ndihmës sociale, pensionistët, studentët, sektori privat, kanë nevojë për zgjidhje të qëndrueshme dhe jo për lëmoshën tuaj deri ditën e zgjedhjeve. Ndihmat sociale, rrogat, pensionet, duhet të rriten komfor rritjes së çmimeve. Kjo është kërkesë e qytetarëve, e jo të na bëni të ndjehemi sikur po na jepni lëmoshë. Në këtë kuazi-pako të masave antikrizë parashihen 1mijë ose 2mijë denarë për pensionistët dhe studentët, as më pak e as më shumë po vetëm deri në muajin maj kur të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare e presidenciale sepse në mendjen e tyre kaq kushton dinjiteti i qytetarëve dhe me kaq para planifikojnë që ta blejnë atë”, deklaroi Burim Latifi, Lidhje Evropiane për Ndryshim. /Alsat.mk