“Leje për plazh, por pa roja bregdetare”

“Çdo stacion plazhi që do të miratohet nga komisioni i ngritur pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit (MTM) dhe do të lidhë kontratën me bashkinë përkatëse, ka si kusht të ketë dhe një rojë plazhi për parcelë”.

Kështu shkruhet në VKM-në numër 171 të miratuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri.

Çdo subjekt që merr lejen për të përdorur zonën e plazhit duhet të pajiset me rojën bregdetare të kullave të vrojtimit.

Në teori e zbatueshme, por praktika tregon diçka tjetër.

Leneda Kamberaj, trajnere e licencuar e vrojtuesve të plazhit, tregon për Albanian Post rezultatet e inspektimit të kryer në plazhet e Vlorës.

“Në 130 plazhe që ne vëzhguam në të gjithë Vlorën, vrojtuesi ishte në dokumentacion, por jo në kullën e tij”, shpjegon ajo.

Sipas saj, kjo gjë krijon shqetësim te njerëzit, të cilët nuk e dinë se cili plazh është më i sigurt për të kaluar pushimet e tyre.

Kamberaj thekson se janë vetë pronarët e subjekteve, të cilët “vijnë ndjekin trajnimin, pasi është i detyruar”.

E pyetur nga AP-ja se pse në qendrën e saj kurset ndiqen nga pronarët, ajo shpjegon se këta të fundit nuk gjejnë dot persona që ta kryejnë si detyrë.

“Të rinjtë nuk janë të informuar, pagat janë jo fort të pëlqyeshme dhe përgjegjësia është e madhe”, thotë trajnerja.

Sipas saj “kjo është rruga që ndiqet për të marrë lejen e në fund asnjë nuk vëzhgon plazhin”.

Kullat e vrojtimit të ngritura në breg të detit, përpos faktit që janë të braktisura nga rojet, shpesh konsiderohen si ndërtesa të pasigurta nga pushuesit për shkak të mosmirëmbajtjes.