ASH: Ora policore gjatë fundjavës e panevojshme

VMRO-DPMNE-ja pret planin konkret të pushtetit për lehtësimin e paralajmëruar gradual të masave të kujdesit dhe masave kufizuese që më pas të bëjë vlerësimin e tyre. Kjo sa i takon paralajmërimeve për kthim gradual në normalitet nga 1 maji. Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se janë duke analizuar situatën në bazë ditore përpara se të dalin me vlerësime konkrete. Ministri i Brendshëm, Naqe Çulev, përveç se njoftoi se mbështet shkurtim të orës policore, edhe atë, duke filluar nga ora 19 deri në ora 5, deklaroi se do të iniciojë edhe rishikimin e masave të tjera.

Në mënyrë plotësuese do të kërkoj edhe shqyrtimin e vendimeve që lidhen me kufizimin e lëvizjes në male dhe parqe, duke mbajtur llogari për masat që kanë të bëjnë me grupimet në hapësirat publike- deklaroi Naqe Çulev, ministër i Brendshëm.

VMRO-DPMNE-ja, disa herë ka thënë se qytetarët i janë drejtuar me kërkesa për testime masive. Ndërkohë kjo parti deri tani pushtetit i ka propozuar masa për mbështje të kompanive dhe të bujqëve me shfrytëzimin e mjeteve të shtyllës së dytë të fondit pensional dhe invalidor dhe masa të ngjashme ekonomike.

Aleanca për Shqiptarët kërkon që ora policore për gjithë fundjavën të mos përsëritet më.

I bëjmë apel Qeverisë që t’i zbusë masat. U tregua këto ditë se masat që gjatë fundjavave të mbyllen totalisht qytetarët, krijojnë më tepër grumbullime të njerëzve nëpër markete. Kjo ka qenë masë e panevojshme dhe i bëjmë apel që masa të tilla të mos ketë më- Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Që të mos kufizohet liria e qytetarëve që s’janë të infektuar, Sela propozon testime masive për COVID-19 për secilën amvisëri.

Në momentin që kryhet i gjithë ky aksion nga ana e shtetit, Ministria e Shëndetësisë, nga ana e mjekëve të familjes, do të ndajmë sakt se cilët janë ato njerëz me virus korona, atëherë nuk keni nevojë të kufizoni lirinë e qytetarëve që nuk janë të infektuar dhe do të izolohen vetëm për dy javë ato qytetarëve që janë të infektuar me virus korona- tha Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Sela thotë se për rreth 600 amvisëri, shtetit testimi masiv do t’i kushtojë rreh 5 milion euro. Me këtë, Qeveria do të kishte një pasqyrë më të qartë të gjendjes në vend./Alsat