LDK’ja e mbështet votimin për angazhimin e FSK’së në misione jashtë vendit

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi ka thënë se deputetët e kësaj partie e mbështesin kërkesën e qeverisë që Kuvendi të mbajë seancë të jashtëzakonshme për lejmin e angazhimit të FSK’së në Misionet Paqeruajtëse, raporton Gazeta Express.

“E nisim vitin me një lajm fantastik!Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës e mbështetë kërkesën e Qeverisë që Parlamenti të mbajë, sot, seancë të jashtëzakonshme, për lejimin e angazhimit të Ushtrisë së Kosovës në Misione Paqeruajtëse në kuadër të ushtrive më të fuqishme të botës. Jemi të bindur se secili ushtar i Kosovës do ta nderojë atdheun dhe flamurin tonë, dhe Kosovës do t’i kthehet faqebardhë”, ka shkruar shefi i deputetëve të LDK’së.

Me kërkesë të Ministrisë së Mbrojtjes, Qeveria e Kosovës ka aprovuar Vendimin për bashkëdërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë në misionin e parë paqeruajtës jashtë vendit, si pjesë e Gardës Kombëtare të Ioëas, sipas ftesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kontingjenti i FSK-së jashtë vendit do të jetë pjesë e misionit në ofrimin e mbështetjes për stabilitet rajonal dhe operacione paqeruajtëse në regjionin e Komandës Qendrore Amerikane – U.S. Central Command (USCENTCOM).

“Krahas përkushtimit të vazhdueshëm për të avancuar aftësitë dhe kapacitetet operacionale, FSK-ja po arrin sukseset e saj të mëdha edhe në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke fuqizuar në vazhdimësi subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Besimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të përfshijë FSK-në në misione ndërkombëtare paqeruajtëse konfirmon edhe një herë përkrahjen për Kosovën, duke e konsideruar si një faktor të rëndësishëm në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon e kudo në botë. Kosova mbetet e përkushtuar për bashkëpunimin me SHBA-në dhe partnerët strategjikë në orientimet e saj euroatlantike”, thuhet në njoftimin e dërguar për media.