E sipas LDK-së, ministria ka zgjedhur një variant i cili do të ketë shumë më i kushtueshëm për buxhetin e Kosovës.
Anëtarja e kryesisë së kësaj partie, Jehona Lushaku-Sadriu, në një konferencë për media të martën teksa ka kërkuar dorëheqjen e Ngavacit, ka thënë se një ministre e tillë i bën dëm vendit.

Sipas saj, për shkak të paaftësisë së Qeverisë për t’i siguruar tekstet shkollore, çmimi i librave do të dalë minimalisht 20 për qind më shtrenjtë për shkak të kostos së shitjes me pakicë dhe kostos së distribuimit të librave.
“Qeveria do të paguajë më shtrenjtë rimbursimin e prindërve. Shuma mund të shkojë më shumë se 2 milionë. Kjo zgjidhje ka ardhur si rezultat i dështimit të kësaj qeverie. Nuk mund ta prezantosh si zgjidhje të favorshme këtë kur do t’i kushtojë më shumë buxhetit të shtetit”, ka thënë ajo.
“Kjo qeveri në vend se të fokusohet në përmirësimin e cilësisë së librave, ka zgjedhur t’i ikë përgjegjësisë dhe t’i ngarkojë me përgjegjësi prindërit. Para një viti është humbur mësimi për një muaj e gjysmë, miliona orë mësimore janë humbur dhe nuk janë zëvendësuar plotësisht. Prandaj, kërkojmë dorëheqjen e ministres së Arsimit. Një ministre dhe një qeveri e tillë është e dëmshme për Kosovën”.