Fejzi HAJDARI
Dihet qartë se kush është fitues absolut në zgjedhjet e 14 shkurtit, të mbajtura në Kosovë. Vetëvendosja arriti rezultat historik, të pastër si loti. Dihet edhe kush është humbësi më i madh i këtyre zgjedhjeve. LDK-ja arriti rezultatin më të dobët historik zgjedhor, që nga themelimi. I dini edhe vetë këto gjëra, s’kam çka të them diçka të re.
Mirëpo, këto zgjedhje janë të veçanta, në një aspekt, që kur i ndjeki unë zgjedhjet në Kosovë (i ndjeku që nga fillimi). Janë të veçanta, sepse, për herë të parë veç fitores zgjedhore, kemi edhe fitore paszgjedhore. E paradoksi më i madh është se humbësi absolut i zgjedhjeve, është fitues absolut i paszgjedhjeve.




Me bindje të plotë, pa kokërr ironie, apo cinizmi, them se LDK-ja fitoi shumë pas zgjedhjeve, e kulm i kësaj fitore është dorëheqja e Isa Mustafës.
Edhe më shumë fitoi LDK-ja, që bashkë me Mustafën, u largua edhe klika e tij. Klikë kjo, që e mbante peng LDK-në, duke e sjell atë në prag të “pragut” zgjedhor.
Klikë, e cila punonte ndoshta për të gjithë ngapak, por më së paku për LDK-në. Pak për Hashimin, pak për Kadrinë, pak për këtë, pak për atë…, por aspak për LDK-në si subjekt politik. Punonin edhe kundër vullnetit të anëtarësisë, vetëm për të kënaqur apetitet e kundërshtarëve. Prandaj, edhe dënimi erdhi në formën, më të merituar.
Ky rezultat zgjedhor nuk duhet të jetë dekurajues për votuesin e LDK-së. U bë mirë që LDK-ja u çlirua nga një kupolë, e cila borxhet individuale që ua kishte rivalëve politikë, mundohej t’i “lante” duke shterrur “kapitalin” historik, të partisë dhe simpatizuesve të sajë.
Largimi i ekipit që e solli partinë në këtë nivel, hap mundësi të shumta. Kuptohet sfidë e radhës është të përballen me pas-kuintat, që di t’i luajë udhëheqësia, shpresoj, tashmë e vjetër. Kjo është sfidë për strukturën besnike të LDK-së, që duhet t’i pengojë të gjitha tentimet eventuale për pas-kuinta, ose si thuhet, “lojërat me bisht”. Vetëm në atë mënyrë do të krijohen kushte dhe hapësirë që LDK-ja të kthehet në këmbë të shëndosha dhe të hapet për t’u udhëhequr nga njerëzit më të aftë që ka, duke përfshirë, pse jo, edhe kthimin e mundshëm të Vjosa Osmanit.




