LDK i “nguli” thikë vetvetes me mocionin, tani gjithë pushteti është në duart e Albinit dhe Vjosës

Me mocionin për rrëzimin e Qeverisë Kurti, LDK, respektivisht krahu I kësaj partie që është me kryetarin Isa Mustafa, dëmin më të madh ia ka bë vetvetes, sepse tani i gjithë pushteti është në duar të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, vlerësojnë analistët kosovarë. Sipas tyre, nga mocioni ka humbur vetëm Isa Mustafa, sepse me shkarkimin e Avdulla Hotit, pas Agim Veliut, ai de fakto nuk ka më kurrfarë ndikimi në qeveri, e cila sipas ish kryetarit të gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, mund të funksionojë deri në zgjedhjet e reja parlamentare. Aq më keq për Isa Mustafën dhe përkrahësit e tij është fakti se kryetare e Parlamentit është Vjosa Osmani, me të cilën tani janë armiqësuar haptazi.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, thotë se me Kushtetutë Vetëvendosje ka të drejtë edhe njëherë të propozojë Kurtin për mandatar të qeverisë.

Hasani në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, thotë se nëse Vetëvendosje nuk lëshon rrugë duke mos dërguar emër te Presidenti, qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhje të reja. Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese thotë se Kushtetuta e Kosovës ka shumë hapësira në krahasim me kushtetutat e vendeve tjera.

Ai thotë se në kushtetutat e vendeve tjera shpjegohet shumë qartë roli i një kryeministri në dorëheqje dhe rolin e kryeministrit në shkarkim. Hasani thotë pozita e krye parlamentares më shumë është në aspektin moral se legal. “Vjosa Osmani nuk ka pse qëndron në atë pozitë”, tha ndër të tjera Enver Hasani.