Lëvizja Demokratike ka njoftuar për një vendim që e cilëson historik, duke hapur rrugën për zyrtarizimin e VLEN si forcë e bashkuar politike, raporton Zyrtare.
Sipas komunikatës, sonte është mbajtur takim me strukturat partiake, me një pikë të vetme të rendit të ditës – zyrtarizimin e VLEN-it si subjekt i unifikuar politik.
Me propozim të kryetarit Izet Mexhiti, strukturat e Lëvizjes Demokratike, siç thuhet në njoftim, kanë manifestuar “pjekuri të lartë politike” dhe duke pranuar mesazhin e shumicës së shqiptarëve, njëzëri e kanë autorizuar Mexhitin që të vazhdojë të udhëheqë procesin e transformimit të partisë dhe shkrirjen e saj në VLEN.
LD shpreh bindjen se ky hap përfaqëson një mundësi historike për konsolidimin e mëtejshëm të VLEN-it dhe forcimin e rolit të saj si përfaqësuese e vullnetit të shumicës së shqiptarëve. Sipas tyre, vendimi synon të konsolidojë skenën politike shqiptare dhe të vendosë baza më të forta për pjesëmarrje dhe ndikim më të madh të shqiptarëve në jetën politike të vendit.



