Fantazisti spanjoll David Silva ka zgjedhur atdheun e tij për të vijuar karrierën, pasi mbrëmjen e djeshme ka qenë skuadra baske e Real Sociedadit që ka njoftuar zyrtarisht arritjen e marrëveshjes me të, duke shpërndarë një video në faqen zyrtare të klubit.
Futbollisti 34-vjeçar i dha fund eksperiencës 10-vjeçare në “Etihad Stadium” me Manchester City-n dhe gjatë muajit të fundit ishte folur shumë për një transferim të tij në Itali, te Lazio ose Juventus, që ishte futur në garë së fundi.
Megjithatë zyrtarizimi nga Real Sociedad ishte një befasi për të gjithë, pasi prej kohësh ishte folur për një marrëveshje mes Lazios dhe David Silvës për të nënshkruar një kontratë 4-vjeçare, por mesa duket në fund fantazisti zgjodhi të kthehen në atdheun e tij.
David Silva u rrit në klubin e Valencias, me të cilin debutoi në futbollin profesionist dhe spikati para se të transferohej te Manchester City, ku luajti plot 436 ndeshje në të gjithë kompeticionet dhe shënoi edhe 77 gola.




