Lapidari i UÇK-së në Sllupçan, 16 vite u premtua – asnjëherë s’u ndërtua (VIDEO)

Në kompleksin e varrezave të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në fshatin Sllupçan të Kumanovës, prej vitesh janë vendosur këto shufra për ngritjen e një Lapidari, që nuk u ndërtuar asnjëherë, shkruan gazeta LAJM.
Ngritja e tij premtohet nga politikanët shqiptarë që nga viti 2003, por deri më sot është ndërtuar vetëm bazamenti.

Lapidari i UÇK-së në Sllupçan, 16 vite u premtua – asnjëherë s’u ndërtua (VIDEO)

Lapidari i UÇK-së në Sllupçan, 16 vite u premtua – asnjëherë s’u ndërtua (VIDEO)

Posted by Lajm TV on Tuesday, December 10, 2019

“Që në vitin 2001 nga ish komandati I UÇK-së, Maliq Ndrecaj, isha caktuar unë që para se të arrihet Marrëveshja e Ohrit, të shkoj deri në Ferizaj ku ishin ndarë 750 mijë euro për Lapidarin që ishte paramaneduar të jetë mbi 18 metra, mirëpo për shkaqe sigurie dhe për shkak të kushteve të vështira, u la që paratë të vijnë pas mbarimit të Marrëveshjes së Ohrit. Dihet që në vitin 2003 u mor një iniciativë nga BDI-ja që të ngrihet një Lapidar, u vunë disa shufra që janë edhe sot dhe deri më tani nuk është ndërtuar”, tha mjeku Fatmir Asani, që në vitin 2001 ishte kujdesur për luftëtarët e UÇK-së.

Në fshatin Sllupçan të Kumanovës janë zhvilluar betejat më të ashpra mes ushtarëve të UÇK-së dhe policisë e ushtarisë maqedonase, në vitin 2001, prandaj edhe revolta për mosngritjen e Lapidarit për dëshmorët shqiptarë është shumë e madhe.

“Është turp i madh prej 18 vitesh nuk ndërtohet Lapidaroi. Për kë kanë vdekur këta vëllezërit tanë. Ky është turp i madh për Ali Ahmetin dhe gjithë stafin e tij. I kanë lënë familjet e dëshmorëve në harresë”, tha Liman Limani, invalid i luftës.
Liman Limani, në vitin 2001 kishte marrë lëndime të rënda derisa po transportonte ushqimin për ushtarët e UÇK-së. Ai, thotë se asnjëherë nuk e kishte paramenduar se do të lihen në harresë ata që sakfrifikuan gjithçka për avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni.
“Erdhën dhe u fotografuan. I kanë vendosur këto rrjeta që në vitin 2003 dhe ende nuk kanë bërë asgjë. Vetëm për 2 Maj vijnë dhe flasin. Akoma e përmendin Marrëveshjen e Ohrit, kjo është turp”, tha Liman Limani, invalid i luftës.

Doktori Fatmir Asani që në vitin 2001 ishte kujdesur mjekimin e ushtarëve të UÇK-së, thotë se është koha e fundit që të fillojnë punimet për ngritjen e Lapidarit.

“Ose të kërkojmë nga partitë politike ose vetë të marrim iniciativë. Pra, nëse nuk ka vendim për ndërtimin e Lapidarin, në pranverë duhet të formojmë një këshill për ndërtimin e tij që ka rëndësi të madhe për historinë madhore të këtij rajoni”, tha Fatmir Asani.

Gjatë luftimeve disa mujore me policinë dhe ushtrinë maqedonase, vetëm në fshatin Sllupçan të Kumanovës kanë rënë dëshmorë 30 ushtarë të UCK-së dhe shumë të tjerë mbetën të plagosën. Këto luftime ndryshuan pozitën e shqiptarëve të Maqedonisë, por statusi i ushtarëve të UÇK-së dhe familjeve të dëshmorëve, nuk u rregullua asnjëherë me ligj. /Gazeta LAJM
Gazetar: Reshat Ibrahimi, operator: Amir Idrizi