Lamtumirë vapës: Fundjava sjell shi dhe ulje të temperaturave

Administrata për Hidrometeorologji (UHM) njofton për ndryshim të kushteve të motit gjatë fundjavës së ardhshme, kur pritet mot i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje të herëpashershme shiu.

Sipas meteorologëve, lokalisht reshjet do të jenë të rrëmbyeshme dhe më të dendura, të shoqëruara me bubullima dhe erë të fortë nga veriu.

Duke filluar nga e shtuna, pritet edhe rënie e ndjeshme e temperaturave ditore, e cila do të sjellë një freskim të vërtetë pas valës së gjatë të të nxehtit.

Megjithatë, moti i ngrohtë dhe me diell do të vazhdojë edhe gjatë dy ditëve të ardhshme. Gjatë orëve të pasdites mund të ketë paqëndrueshmëri lokale, me kushte për reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë të fortë, para ndryshimit të vërtetë të motit që pritet gjatë fundjavës.