Lajmet e rreme, si një fenomen global, por që viteve të fundit ka marrë përmasa të mëdha, nuk kanë lënë anash as Kosovën. Mediat online, të cilat krijohen pa një shpjegues se kush qëndron pas tyre, prej ku më pas përhapen me shpejtësi të madhe nëpër rrjetet sociale, konsiderohen si burimi kryesor i tyre.
“Fake news” apo lajmet e pavërteta, sikurse në çdo vend tjetër, edhe në Kosovë po konsiderohen si fenomen shqetësues.
Në Komisionin e Pavarur të Mediave [KPM] thonë se kanë pranuar në vazhdimësi dhe po pranojnë ankesa të shumta nga qytetarët dhe publiku lidhur me lajmet e rreme që publikohen.
Zyrtari për informim në Komisionin e Pavarur të Mediave, Arsim Dreshaj, thotë se ankesat më të shpeshta kanë të bëjnë me disa portale (media online).
“Komisioni i Pavarur për Media është duke punuar në zbatimin e projektit për Edukimin Medial për të gjithë qytetarët, si masë edukuese dhe mbrojtëse nga lajmet e rreme”.
“Edukimi medial është një proces, i cili u referohet aftësive dhe njohurive të të kuptuarit që u mundëson qytetarëve t’i përdorin mediat në mënyrë efektive dhe të sigurt”, thotë ai.
Sa i përket legjislacionit, ai thotë se funksionimi i mediave audiovizuale, është i rregulluar me Kodin e Etikës së Komisionit të Pavarur të Mediave, i cili parasheh rregullimin e paanshmërisë dhe saktësisë së lajmit.
“Por, sa i përket ankesave për lajmet e rreme ndaj medieve audiovizuale, palët mund të ankohen duke u bazuar te Kodi Etik i KPM-së, i cili parasheh masa ndëshkuese që nisin nga tërheqja e vërejtjes, gjobitja me të holla, e deri te heqja e licencës për mediat e licencuara”, thekson Dreshaj.
Blerim Halili, një qytetar nga Prishtina, thotë se lajmet e rreme janë bërë një mekanizëm, i cili po u shërben interesave e klaneve të ndryshme për qëllime të caktuara.
“Ka shumë raste, sidomos kur bëhen top-tema disa çështje shoqërore politike këtu te ne. Lajmi është shndërruar në një mjet propagande të fuqishme që i bën njerëzit të mendojnë për një çështje të caktuar në mënyrë jo reale”, shprehet Halili.
Ligjëruesi në Fakultetin e Filologjisë në Degën e Gazetarisë, Muhamet Jahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se problemi me lajmet e rreme është se mediat online, nuk kanë një kornizë të rregullimit ligjor, as me Ligjin për Komisionin e Pavarur për Media.
“Duhet të ngrihet niveli i vetëdijesimit qytetar, pra një lloj edukimi medial që t’i dallojnë këto lajme të rreme nga përmbajtjet e vërteta dhe në këtë formë fillojnë t’i bojkotojnë ato”.
“E dyta, mediat kryesore duhet t’i denoncojnë edhe ato këto lajme, edhe në të njëjtën kohë të marrin rolin e primatit të një gazetarie të vërtetë. Dhe, e treta, nxitja e një gjykimi kritik te publiku, sepse publiku është ai, i cili po i vuan pasojat e këtyre lajmeve që në esencë kanë qëllime të errëta”, vlerëson Jahiri.
Sipas tij, lajmet e tilla shpesh shkaktojnë panik te qytetarët dhe në të njëjtën kohë, po shkatërrojnë gazetarinë profesionale.
Edhe kryetarja e Asociacioni të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli, thotë për Radion Evropa e Lirë se ajo që është më së e nevojshme tash për tash, lidhur me lajmet e rreme është vetërregullimi i mediave online, edhe pse, siç shprehet ajo, janë mbajtur shumë takime e debate dhe nuk është gjetur një zgjidhje dhe nuk dihet se si do të duket ose do të duhej të ishte ai vetërregullim.
Begolli thotë se lajmet e tilla të pavërteta është shumë e vështirë të ndalohen, pasi që, siç thotë ajo, me një dukuri të tillë po ballafaqohen të gjitha shtetet jo vetëm në Evropë, por edhe më gjerë.
“Mënyra e vetërregullimit nga [mediat] dhe e vetëdijesimit të qytetarëve për lajmet e rreme, momentalisht shihet si e vetmja mundësi që të paktën të ketë numër më të vogël të tyre”, thekson Begolli.
Me shtrirjen e shpejtë dhe masiv të internetit, mediat online kanë gjetur një shtrirje të gjerë dhe kanë zëvendësuar gati se në tërësi mediat e shtypura (gazetat, revistat), kurse radiot dhe televizionet qëndrojnë ende në tregun medial duke u përshtatur me zhvillimet dhe trendët global, nëpër të cilët po kalojnë ato./rel