“Lajm shumë i keq”/ Asociacioni kusht i ri, Kosovës i bllokohet rruga për në Evropë?

Sipas ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, Asociacioni i Komunave serbe në Kosovë do të bëhet vetëm sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe për këtë garancë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përderisa, disa zyrtarë amerikan e kanë thënë edhe unë po ashtu dua të jem shumë i qartë për pozicionin e SHBA-ve. Ne nuk mbështesim asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës, që nuk është konsistente me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të 2015-ës , apo që kërcënon sovranitetin e Kosovës, pavarësinë, karakterin multientik apo institucionet e saj demokratike. Nuk duhet të jetë ‘republikë serbe’ dhe jo me kompetenca ekzekutive”, tha Jeffrey Hovenier.

E në media u raportua se shtete të Bashkimit Evropian, anëtare të Këshillit të Evropës, kanë pranuar nota nga ambasada amerikane, për të mos e futur çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, pa e marrë një qëndrim konstruktiv për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, raportime këto që as nuk u mohuan dhe as nuk u pohuan nga Departamenti i Shtetit Amerikan.

Garancia e SHBA-së

Por sipas analistit politik, Nexhat Haziri, garanca që SHBA po jep për Asociacionin, duhet të jetë një sinjal për qeverinë e Kosovës.

Image

Nexhat Haziri

Asociacioni i Komunave me shumice serbe duhet te bëhet sipas vërejtjeve të bëra nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, dhe garancionet që po i jap aleati i ynë strategjik SHBA, se ky asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, nuk do të jetë një “republika serpska”, dhe do të jetë vetëm konform ligjeve dhe kushtetutës së Kosovës, do të duhej të ishin të mjaftueshme që qeveria e Kosovës të reflektonte në këtë drejtim për të filluar procesin e formimit të AKS-së”, shprehet Haziri.

Ai thotë se formimi i Asociacionit, do t’i haptë rrugë marrëveshjes finale me Serbinë sipas planit franko-gjerman.

Formimi i AKS-së, do të hapte rrugë për marrëveshjen në mes Kosovës dhe Serbisë sipas planit të ashtuuajtur franko-gjerman. Por, si duket qeveria është duke e neglizhuar këtë momentum të krijuar në raport jo vetëm me dialogun Kosovë- Serbi, por edhe me marrëdhëniet me aleatët tanë strategjik sic është SHBA”, thekson Haziri.

Dhe natyrisht nëse Kosova nuk është bashkëpunuese në këtë proces, do të ballafaqohemi me humbjen e përkrahjes ndërkombëtare dhe pasojat do të jenë të mëdha dhe të pariparueshme për një kohë të gjatë , e të cilat do të manifestoheshin me stagnim në proceset e integrimeve euro-atlantike, siç është edhe bllokimi tashmë i ndodhur sa i përket anëtarësimit të Kosovës në KiE, dhe kjo është vetëm paralajmërimi i parë për Kosovën, për të vazhduar edhe me sanksione të tjera, nëse Kosova vazhdon tutje refuzimin për themelimin e ASK-së”, shpjegon analisti Haziri.

Po ashtu, Haziri përmend edhe disa sanksione tjera që mund të vinë për Kosovën, nëse kjo e fundit refuzon kërkesat e SHBA-së.

Po ashtu flitet se për shkak të refuzimit nga qeveria Kurti që ta themelojë AKS-në, tashmë ka sanksione për të gjithë anëtarët e qeverisë të cilët nuk do të mund të udhëtojnë për në SHBA, dhe ky është një lajm mjaft i keq dhe i rëndë për Kosovën sikur edhe bllokimi i anëtarësimit të vendit në KiE. Andaj kryeministri Kurti do të duhej të reflektonte në këtë situatë jashtëzakonisht të vështirë për Kosovën, duke lënë në një anë popullzimin dhe qasjen e tij se e gjithë bota sillet rreth Kosovës, dhe të pranojë themelimin e AKS-së në bashkëpunim me SHBA-të e që është garanci se ky proces, pra ky asociacion nuk do ta dëmtojë Kosovën në aspektin e funksionimit të tij shtetëror, por do të jetë në përputhje me ligjet dhe kushtetutshmërinë e Kosovës”, deklaron Haziri.

Për fund, Haziri thotë se nuk duhet çështja e Asociacionit ta rrezikojë të ardhmen e Kosovës dhe raportet me miqtë e saj ndërkombëtar.

Vazhdimi i kundërshtimit të formimit të AKS-së, e që është një obligim ndërkombëtar, i ratifikuar edhe në Kuvend, Kosovën e shpien drejtë një situatë me të panjohurat e mëdha duke e rrezikuar seriozisht të ardhmen e saj euro-atlantike, duke na shndërruar poashtu në një konflikt të ngrirë. Në çdo proces kur jemi koordinuar me SHBA-në, Kosova ka dalë e fituar!”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Nexhat Haziri.

Lajm shumë i keq

Kurse, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi, thekson se raportimi se SHBA-të kanë kërkuar që Kosova të mos jetë anëtare e Këshillit të Evropës, është një lajm shumë i keq.

Image

Enver Bytyçi

Që Shtetet e Bashkuara të Amerikës sillen me arrogancë kundër Kosovës, nëse u thuhet jo edhe për një çështje shumë të vogël, kjo duket te shumë diplomatë të saj! Dëgjoni! Nuk ka njeri më të afërt se nëna dhe babai. Por edhe prindërit duhet të gjejnë një mënyrë të ekuilibruar në sjelljen e tyre ndaj fëmijës. Ndryshe, fëmija ikën nga shtëpia dhe ka jo pak raste që kur një baba bëhet i padurueshëm për fëmijën, atëherë fëmija shkëput lidhjet me prindin! Edhe marrëdhënia mes shteteve është marrëdhënie njerëzore, emocionale, dhe pragmatike. Por nëse vërtet SHBA-të kanë kërkuar që Kosova të mos jetë anëtare e Këshillit të Evropës, pavarësisht arsyetimit, ky është një lajm shumë i keq. Jo thjesht për Kosovën, por rrënon çdo ditë e më shumë besimin midis dy palëve. Marrëdhëniet midis shteteve, ashtu si marrëdhëniet njerëzore janë marrëdhënie besimi”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare nuk ka mbajtur premtimet ndaj Kosovës, të cilës shumë herë i ka kërkuar të plotësojë kushte, siç ishte demarkacioni me Malin e Zi.

“Nëse SHBA dhe Evropa i thanë Kosovës pranoje demarkacionin e kufirit me Serbinë dhe ne më pas do të liberalizojmë vizat me ju, Kosova bëri detyrën e saj, ndërkohë vizat edhe sot pas 7 vitesh nuk janë liberalizuar. Kush mund të ketë besim te dikush që nuk e mban fjalën e premtuar?! Ndërkaq SHBA-të bllokuan para shumë vitesh pranimin e Kosovës në UNESCO dhe INTERPOL. Nuk më hiqet nga mendja vota kundër p.sh e Polonisë. Pa asnjë shkak, pa paralajmërim. Për mua ishte ndërhyrje e Fuqive të Mëdha te Varshava. Moska natyrisht që nuk ka asnjë kredit në Varshavë. Pse? Pikërisht për të njëjtën arsye si sot. Për ta detyruar Kosovën t’i japë territor Malit të Zi dhe të miratonte Gjykatën Speciale”, thekson Bytyçi, i cili shton se në Kosovë kishte politikanë që ishin të gatshëm të bënin pazare.

Ndërkohë në Prishtinë kishim politikanë që në këmbim të vizave, disa donacioneve, disa arritjeve në njohje etj, ishin të gatshëm të jepnin territore. Kjo do të thotë se ata ishin gati të bëjnë pazare me Kosovën, statusin e saj dhe territorin e saj. Sepse të pranosh p.sh Asociacionin në këmbim të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, me kusht integrimet evropiane e liberalizimin e vizave apo të ndihmës financiare, do të thotë të bësh pazare me Kosovën. Sot me Asociacionin, nesër me dhurimin e territorit Serbisë”, shprehet Bytyçi.

Nëse vërtet ekziston një letër e tillë, e cila u kërkon vendeve të rajonit të mos e mbështesin anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, atëherë unë di të ridimensionoj tërësisht qëndrimin tim ndaj SHBA-ve. Deri sot kam folur për interesa të diplomatëve të caktuara, por nëse ndodh kjo institucionalisht, atëherë Kosova duhet të marrë një vendim: Ose të shpërbëhet, çka e paralajmëroi Vjosa Osmani para pak ditësh, ose të jetojë, pra të qëndrojë dhe të mos bëjë pazare me shtetësinë, tërësinë territoriale e për pasojë të mos e pranojë në asnjë rrethanë Asociacionin”, shpjegon Bytyçi.

Për fund, Bytyçi deklaron se janë dy vendime që duhet të merrë përfundimisht Kosova.

Nëse është shkruar kjo letër, më rezulton se „garancitë“ e diplomatëve amerikanë, se Asociacioni nuk cenon kushtetutën, pra shtetësinë e Kosovës, janë një mashtrim i pastër. Dhe politika shqiptare duhet të marrë vendime jo bazuar në iluzionet që krijon nga mashtrimet, por e vetëdijshme për atë që po bën. Shkurt, ose duhet të marrë vendimin për eliminimin e shtetit të Kosovës, ose për ekzistencën dhe forcimin e tij. Por kjo kërkon vendosmëri dhe unitet. Nuk bëhet kjo me Dardan Molliqajn, i cili ditë e natë lutet e flet për zhbërjen e shtetit të Kosovës nëpërmjet ndarjes së vendit!”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.