Presidenti i Fiorentinës, themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Mediacom Communications, Rocco Commisso, ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare.
Lajmi u njoftua nga familja e tij – bashkëshortja e tij Catherine, fëmijët Giuseppe dhe Marisa, dhe motrat Italia dhe Raffaelina, duke deklaruar se ai ndërroi jetë pas një trajtimi afatgjatë.
“Me dhimbje dhe trishtim të madh, familja Commisso, së bashku me gruan e tij Catherine, fëmijët Giuseppe dhe Marisa, dhe motrat Italia dhe Raffaelina, njoftojnë ndarjen nga jeta të Presidentit Rocco B. Commisso”, shkruan në faqen zyrtare të Fiorentinës.
Rocco Commisso mori drejtimin e Fiorentinas në qershor të vitit 2019. Dashuria e tij për klubin u bë e dukshme nëpërmjet marrëdhënies që ndërtoi me tifozët, qytetin e Firences dhe vetë klubin.
Ai ishte pranë Firences dhe banorëve të saj, veçanërisht gjatë pandemisë Covid, kur dhuroi fonde të konsiderueshme për spitalet e qytetit përmes fushatës “Forcë dhe Zemër”.

Nën udhëheqjen e tij, Fiorentina arriti dy finale të Ligës së Konferencës dhe një finale të Kupës së Italisë.
Trashëgimia e tij më e qëndrueshme për klubin është Rocco B. Commisso Viola Park, një qendër moderne sportive e hapur në vitin 2023 që mban emrin e tij dhe është shtëpia e të gjitha ekipeve të Fiorentinës.



